Arvizu: Me 21 janar, policia u provokua qëllimshëm - të hetohen organizatorët

Ambasadori i SHBA, Aleksander Arvizu, me publikimin e ekspertizës së FBI-së i kujtoi dje opinionit publik se tragjedia e 21 janarit nisi me një provokim të qëllimshëm nga një grup i përzgjedhur demonstruesish, e cila solli dhunën ndaj policisë e më pas edhe viktimat. Ai ka përsëritur kërkesën e ndërkombëtarëve për hetimin gjithëpërfshirës, duke nisur me organizatorët e protestës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu u shpreh dje se demonstrata e 21 janarit të kaluar ishte një ditë e dhimbshme për mbarë shqiptarët. Ai kërkoi hetimin e ngjarjes, ndërsa kujtoi dhe njëherë se protestuesit provokuan forcat e policisë duke i goditur me mjete të forta.
“Një vit më parë ne ishim dëshmitarë të një tragjedie të parrëfyeshme që ndodhi në rrugët e kryeqytetit. Ajo filloi me një provokim të qëllimshëm nga një numër i vogël protestuesish kundër policisë që po bënte thjesht detyrën. Më pas, në mënyrë të menjëhershme pati një përkeqësim të përgjithshëm të situatës që kulmoi siç ne të gjithë e dimë, në vdekjet nga armë zjarri të katër protestuesve, si dhe plagosjen e shumë të tjerëve”, u shpreh Arvizu. Ambasadori Arvizu tha se SHBA mbështet hetimet, ndërsa inkurajon që ato të jetë pavarura dhe të besueshme. “Në ditët që vijuan, qeveria e Shteteve të Bashkuara, në përgjigje të një kërkese të drejtpërdrejtë dhe specifike të Prokurorisë së Përgjithshme, ra dakord të japë asistencë në formën e ekspertimit kriminalistik dhe asistencës teknike për të çuar përpara çështjen e drejtësisë në këtë rast. Kështu qeveria e Shteteve të Bashkuara mirëpret zhvillimet sot dhe deklaratën e Prokurores së Përgjithshme. Dua të përsëris se ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë që është e rëndësishme që ky hetim të jetë i pavarur dhe që të jetë i lirë nga ndërhyrjet politike. Në mënyrë që hetimi të jetë i besueshëm, ai duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe kjo përfshin, sigurisht, siç e përshkroi dhe Prokurorja e Përgjithshme pak minuta më parë, hetimin pikë së pari mbi vdekjet e protestuesve të shkaktuara nga armë zjarri, si dhe veprimet e protestuesve që kryen akte të dhunshme dhe veprimet e qëllimet e organizatorëve, aq sa është e mundur”, deklaroi ambasadori amerikan, Arvizu. Ai i garantoi prokurorisë të gjithë mbështetjen e duhur. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim Zyrën e Prokurores së Përgjithshme ndërsa vazhdon punën për këtë hetim.
Dhe, së fundmi, gjatë kryerjes së hetimit, në rast se ka ndonjë provë që sugjeron pengimin e drejtësisë, atëherë ne ndjejmë detyrimin ta mbështesim Prokurorinë e Përgjithshme edhe në këtë hetim”, tha më tej ai.
Si e konsideroni akuzat se Prokuroria e Përgjithshme po kryen hetim të njëanshëm, se ky hetim është i motivuar politikisht?
Nuk jam dakord; nuk mendoj se është i motivuar politikisht.
Si do ta mbështesni Prokuroren e Përgjithshme duke filluar që nesër, meqenëse po shohim edhe më shumë akuza kundër saj?
Mendoj se është mjaft e qartë se mbështetja jonë ka qenë mjaft e qëndrueshme dhe mjaft e sigurt.