“Politika e zgjerimit të radhëve të Unionit, do vijojë edhe gjatë presidencës belge”
Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule
Brukseli konfirmon se politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian do vazhdojë të ndiqet edhe gjatë presidencës belge të bllokut 27 anëtarësh. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule u shpreh se zgjerimi i BE-së do të mbetet një prioritet kryesore të axhendës politike. Këtë deklaratë Fule e dha pak pas marrjes së presidencës së radhës së BE nga Belgjika. Ai tha se pavarësisht përshtypjeve se disa vende anëtare e kundërshtojnë zgjerimin për shkak të recesionit global, nuk mund të arrihet në përfundimin, të paktën nga përvoja e deritanishme, se ky proces ka ndikuar në ngadalësimin ekonomik të anëtarëve të vjetër. Përkundrazi, sipas Fules, zgjerim do të thotë mundësi të reja dhe një qasje më e mirë europiane për të zgjidhur problemet.
“Në kushtet e recesionit global, procesi i zgjerimit ofron më shumë mundësi për të kaluar gjithë sfidat që po has BE”, tha Fule.
Ai shtoi se miratimi i traktatit të Lisbonës i ka hequr pengesat që ndalnin zgjerimet e reja në BE. Liderët e bllokut kanë deklaruar në vazhdimësi se zgjerimi i radhëve të Unionit, nuk do ndalet nga recensioni i 2 viteve të fundit, por përkundrazi ndjekja e një politike të tillë do t’i shërbejë konsolidimit të pozitave.