Presidenti Obama propozon diplomatin Aleksandër Arvizu, si kandidat për Ambasador të SHBA-së në Shqipëri
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë propozuar diplomatin e ri në Tiranë, i cili do të zëvendësojë John Withersin, mandati i të cilit përfundoi. Aleksandër Arvizu është emri i aprovuar nga Presidenti amerikan Barak Obama për të marrë postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Një ditë më parë, kreu i Shtëpisë së Bardhë publikoi emrat e disa zyrtarëve të lartë që do të shërbejnë si ambasadorë në vende të ndryshme.
“Jam i lumtur që pranuat të jeni pjesë e administratës që drejtoj”, tha Obama, duke shprehur më tej bindjen se diplomatët do të jenë të suksesshëm në përfaqësimin e diplomacisë amerikane.
Aleksandër Arvizu, një diplomat në karrierë, në rangun e këshilltarit ministror mban aktualisht postin e Drejtorit të Zyrës së Zhvillimit të Karrierës dhe Pozitave në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai ka shërbyer më parë si zëvendës Ndihmës Sekretar në Byronë e çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit, e po kështu edhe në vende të tjera, si Koreja e Jugut dhe Japonia. Ka punuar edhe në Këshillin e Sigurimit Kombëtar.
Aleksandër Arvizu u lind në një bazë ushtarake amerikane në Japoni dhe u rrit në Kolorado. Babai i tij ishte zyrtar i lartë ushtarak në këtë bazë, ku u njoh edhe me nënën e Arvizus, një shtetase japoneze. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Universitetin Xhorxhtaun. Në vitin 1981 u bë pjesë e diplomacisë amerikane. Gjatë viteve 2003-2004, ai ishte anëtar i programit të lidershipit të qeverisë amerikane. Ka studiuar disa gjuhë të huaja aziatike përfshi këtu gjuhën japoneze, tajlandeze dhe koreane.