Shtëpia e Azem Hajdarit
1. Në Tropojë, në vendlindje, prindërit jetonin së bashku me Azemin në një shtëpi trekatëshe, që vendndodhja ia bante aq të dukshme bukurinë e, prej oborrit e në ballkone të saj, të vinte në dritë të synit e në pllamë të dorës krejt Lugu i Malësisë (Pellgu i Tropojës) e, deri atje përtej, në horizont, vizohej Qafa e Morinës, që e "prente" Malësinë nga Gjakova e vet e Gjakovën nga Malësia e saj.
Këtë shtëpi, diçka e veçantë si mundësi e realitet për atë kohë në qytetin alpin, nga themelet e në kulme, e ka lartngritë Azem Hajdari me duart e mendjen e tij, (siç e vetthotë më 1991, i bante deri ne tre norma në ditë), me djersën e familjes dhe të shoqërisë së tij të madhe. Për këtë shtëpi foli sot publikisht edhe Fatmira Hajdari, se në pragun e saj u ba nuse e nanë, u ba zonjë e fortë e saj, u ba një personalitet i kohës. Sot, në 50 vjetorin e lindjes së Azem Hajdarit na kujtoj edhe një herë tjetër se sa debat pati (keq)marrë ndërtimi i saj. Në derën e kësaj kulle malësore kanë hyrë shumë politikanë të Tiranës, të Prishtinës etj. dhe e kanë ndjerë mikpritjen e saj.
2. Më kujtohet si sot. Në vitin 1986, u planizue një fond në Tiranë për ngritjen e një qendre kulturore të fëmijëve në qytetin e Tropojës. Një projekt model të një institucioni të tillë e pata marrë në qytetin e Skraparit, i cili ishte si një nga variantet e mundshme. Edhe shtëpia e bukur e Azem Hajdarit po merrte diskutim për t’u përshtatë si qendër kulturore kundrejt veprimeve financiare dhe ekonomike të asaj kohe. Po regjimi i mbyllur komunist kishte nisur rrokullisjen drejt gropës së vetëhapur dhe ky fond nuk hyni në kuadratet e planeve të asnji viti kalendarik. E ceka këtë fakt si rast për të pasë një ide se ç’vepër kishte lartue Azem Hajdari për familjen e vet, për jetesën e tyne.
3. E dini sepse e përmendi këtë kullë trekatëshe të Azem Hajdarit, të ngritun lartësisht e mirësisht në kodër të qytetit, me oborr e me kopsht, me gjitha të mirat ma të veçanta e të mundshme të kohës. E përmenda se kjo e ka atë randësinë e vet, pasi, gjithsesi, ai që mundet më e ndërtue një shtëpi të bukur në kohë të vështira mundet me i sfidue vështirësitë e kohnave për me kontribue në ndërtimin e një shteti të mirë për qytetarët e vet. Pikërisht këtë e dëshmoi Azem Hajdari me nandë vite jetë aktive në politikën kombëtare shqiptare, me guximin e trimërinë e tij, me mendjen e zemrën e tij, me djersën e gjakun e tij, ndonëse ai nuk ishte aste një ditë në funksione të larta shtetërore për të hedhur firmën e tij, po i la gjurmët e veta në memorien e kohës së pluralizmit e të demokracisë, në analet e historisë, në vizionet e vitalitetet e brezave.
Azem Hajdari u kthye në një urugan i demokracisë për përmbytjen e komunizmit, u ngrit në një lider i fuqishëm i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, sakrifikoi për idealet kombëtare e demokratike, u nderua edhe sot me ma të lartën dekoratë shqiptare: “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”. U kthye në një simbol kombëtar. Mbeti një legjendë e gjallë e Lirsë, Demokracisë, Kombit.
E tashti po më vjen në shteg me shtue diçka të njohun: kur do të vijnë dita që kjo shtëpia e Azem Hajdarit në vendlindje të kthehet në "Shtëpi Muze", pasi ka mbi dhjetë vjet që është hedh si ide e mirë dhe në vitet e fundit po duket si një orok i pritshëm.