E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika me popullin

Ditët e fundit, me siguri që Sejdiu dhe Thaçi do të jenë ndjerë të tradhtuar prej ndërkombëtarëve, që pa u mbushur një vit nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, me veprimet e tyre po tregojnë se ajo realisht nuk ka asnjë vlerë për ta. Por mbi të gjitha, me siguri do të jenë ndjerë të vetmuar, të pafuqishëm për të ndikuar te rrjedha e ngjarjeve. Nëse vërtet janë ndjerë në këtë mënyrë, për këtë faji është i tyri dhe në përgjithësi i klasës politike të Kosovës. Ata u kanë besuar fjalëve të ndërkombëtarëve se pavarësia do të realizohej vetvetiu, me durim dhe se nuk ishte nevoja që të përfshihej populli, sepse gjithçka do të zgjidhej në tryeza. Nuk u kujtuan se historikisht tryezat diplomatike nuk kanë bërë tjetër veçse kanë konfirmuar dhe vulosur atë që tashmë ka qenë fakt i kryer në terren.

Plani 6-pikësh i Ban Ki Munit për vendosjen e EU-LEX-it nuk ishte tjetër veçse pasqyrim i gjendjes në terren, ku Serbia e qeveris realisht veriun e Kosovës me anë të strukturave të saj paralele. Serbisë i nevojitej një marrëveshje ndërkombëtare që të njihte ndarjen e veriut nga pjesa tjetër e shtetit dhe mundësisht edhe anulimin e pavarësisë. Prandaj e shfrytëzoi maksimalisht rastin që i erdhi në dorë. Serbia ka ndjekur në vazhdimësi interesin e saj kombëtar dhe shtetëror me anë të strukturave të saj, pa marrë parasysh dëshirat e ndërkombëtarëve në Kosovë, aq sa shefi i UNMIK-ut të detyrohej t‘i ankohej qendrës se situata në veri nuk ishte nën kontrollin e administratës së tij. Serbia, duke e parë pafuqinë e OKB-së dhe duke u ndjerë e sigurt te përkrahja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, shfrytëzoi të gjitha rrethanat për të minuar pavarësinë e pritshme të Kosovës. Kurse për elitën politike të Kosovës, më me rëndësi gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë njohja e jashtme, duke menduar se sovraniteti i Kosovës do t‘u vinte nga jashtë, në vend që të përpiqeshin ta realizonin atë brenda me anë të mbështetjes popullore.

Për sa i përket dy organizatave ndërkombëtare, OKB-së dhe BE-së, ato kanë vepruar siç pritej prej tyre. Të dyja nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe rregullimet juridike janë të detyruara t‘i bëjnë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, e cila akoma e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Sigurisht që ka një dozë perversiteti në rastin e BE, duke qenë se anëtarët kryesorë të saj, që e kanë njohur Kosovën për shtet të pavarur, nuk bënë asgjë për ta siguruar këtë pavarësi, por thjesht nxitën politikanët e Kosovës që të merreshin vesh me Serbinë, a thua se Kosova është ende pjesë përbërëse e saj. Mirëpo pikërisht ne shqiptarët jemi ata që nuk duhet të shpresojmë te morali dhe parimet e diplomacisë.

Ngërçi me EU-LEX-in nuk mund të zgjidhet në favor të shqiptarëve dhe shtetit të pavarur të Kosovës për sa kohë që autoritetet shqiptare nuk bëjnë orvatje për të ushtruar sovranitetin e popullit të Kosovës. Kjo, në radhë të parë, arrihet duke u kthyer te populli, duke u mbështetur tek ai dhe duke e mobilizuar atë në këto kohë kaq vendimtare. Të fillohet duke u marrë seriozisht me qytetarët në pjesën veriore. Shtetet e ligjshme të Kosovës duhet të jenë të pranishme aty, do apo nuk do UNMIK-u. Shqiptarët që janë në veri të Mitrovicës e më tutje të mbështeten, kurse serbëve të Kosovës u duhet bërë e qartë se strukturat paralele që ka toleruar UNMIK-u, nuk kanë të ardhme dhe se e vetmja rrugë e ligjshme është që ata të bashkëpunojnë dhe të marrin pjesë në strukturat qeveritare të shtetit kosovar. Mirëpo vendosmëria duhet treguar edhe me forcë po qe nevoja, edhe kundër dëshirës së UNMIK-ut apo edhe KFOR-it. Forca më e madhe është populli, atij i takon Kosova dhe liria e saj dhe ai duhet mobilizuar për të vepruar, sidomos atëherë kur elita e tij politike i ka duart e lidhura. Politika duhet bërë bashkë me popullin.

Rezoluta 1244 do të shfuqizohet apo ndryshohet kur ta diktojnë faktet në terren. Çështja është nëse ndryshimet do të jenë në favor të shqiptarëve, apo të serbëve. Ndodhia e fundit me EU-LEX-in padyshim që, sido që të zgjidhet, do të ndiqet nga ngërçe të tjera ku do të ngërthehen shqiptarët, serbët dhe faktorët ndërkombëtarë. Edhe pavarësia nuk është ndonjë mburojë e pathyeshme, sidomos kur të tjerët mendojnë se e ke dhuratë dhe nuk e meriton plotësisht. Ai që zotëron terrenin, ai ndikon edhe në bisedimet e tryezave. Populli i Kosovës dhe qeveria e tij e ligjshme duhet sa më shpejt të shtrijnë sovranitetin në mbarë territorin e vendit, me të gjitha mënyrat, pavarësisht nga dëshirat e tanishme të ndërkombëtarëve.

Faktorët ndërkombëtarë, për shkak se janë të përçarë, mund të dëshirojnë të ruajnë status quo-në, por të gjitha status quo-të janë të përkohshme. Përballja e shqiptarëve me armiqtë e tyre është një marrëdhënie e shumës zero: çdo fitim për njërën palë është humbje për tjetrën. Edhe qeveria e Shqipërisë, me gjithë problemet e politikës së brendshme, duhet të ishte shprehur menjëherë kundër planit të Ban Ki Munit. Nëse nuk dëshiron të shprehet prej frikës së akuzave të "Shqipërisë së Madhe", të paktën të kishte reaguar thjesht si një fqinj i sinqertë e dashamirës. Përderisa e ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, le të tregojë se e ka bërë me vullnetin e vet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›