E Diel, 1 Nëntor 2026

Visar Zhiti: Jam penduar që s‘bërtita më shumë në diktaturë

Sot mund të shkruajë i lirë. Madje të shohë edhe trofe për letërsinë e tij. Dikur, afro 30 vjet më parë, disa rreshta të shkruar do ta plasnin pas hekurave të burgut. Në Pallatin e Kongreseve, atë që ai e quan tempull që diktatorët ngritën për dhunën e tyre, Visar Zhiti merr çmimin si shkrimtari i vitit në Panairin Librit 2008. "Shekull tjetër", një titull-metaforë që përkon mirë me etapat e jetës së shkrimtarit, është vëllimi më i fundit me tregime që ka botuar në OMSCA-1. "Çmimi është një gëzim i shumëfishtë. Më duket si një arritje e atyre që kanë vuajtur bashkë me mua dhe kemi arritur një fitore të përbashkët si qytetarë të këtij vendi. Dhe ne, të dhunuarit, marrim çmime në këtë pallat të ngritur për dhunën. Më pëlqen kjo metaforë që e krijon koha", shprehet Zhiti, i cili tashmë punon si ministër këshilltar për kulturën dhe diasporën në Ambasadën Shqiptare në Romë. I pëlqen atmosfera e panairit. E sheh si një vend ku bashkohen kohërat, popujt, emrat, vendet, mençuria e shekujve dhe njëkohësisht mesazhet e kohës. Pas viteve ‘90, Zhiti ka botuar disa libra, prozë dhe poezi, mes të cilave "Kujtesa e ajrit", "Hedh një kafkë në këmbët tuaja" (libër me poezi të burgut), "Mbjella e vetëtimave", "Këmba e Davidit", "Funerali i pafund" (roman) "Perëndia mbrapsht dhe e dashura", etj. Ka dashur ta kapë kohën. Edhe lirinë. "Liria nga ana intelektuale është më e vështirë se sa robëria. Të jesh i lirë, do të thotë që të jesh i lirë për të bërë atë që duhet dhe jo atë që do. Diktaturat e kanë më të lehtë. Mjafton errësira, injoranca dhe dhuna. Liria është gjëja më e çmuar për njeriun, aq më tepër për shkrimtarin, vetëm se duhet ditur si ta përdorësh", shprehet ai. Nuk mund t‘i ikë realitetit, me gjithë tallazet e shqetësimet që ka. Teksa në dorë ka diçka tjetër duke shkruar, ashtu siç ndodh me çdo shkrimtar, Visar Zhiti shprehet se "më pëlqen të jem bashkëkohor, i ditës në atë që shkruaj. Por ndonjëherë ia kam frikën se në ikjen e saj, dita merr edhe rreshtat. Herë-herë e injoroj distancën, por edhe kam frikë të jem i vonuar. Më pëlqen ta kem kohën në vepër. Por ndonjëherë, edhe kur je duke shkruar rreth një teme të hershme, dita të krijon trysni dhe në një mënyrë apo një tjetër gjen pasqyrim aty". Gjithsesi kujtimet janë të pranishme kur ai merr penën. Në mos të dukshme, të fshehura lehtë. I detyruar të shkojë nga Durrësi në Lushnjë, për shkak të përndjekjes së të atit, pasi kishte siguruar me vështirësi të studionte për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Shkodrës e kishte filluar të shkruante, në vitin 1979 arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë, të shprehura në poezitë e tij. Janë vite që nuk shlyhen kollaj. "Kujtimet janë. Unë nuk i ndjell, por jam nga ata njerëz që e çmoj kujtesën, qoftë të njeriut apo kombit. Unë jam për kujtesën që ta përdorim në dobi të mirëqenies sonë", shprehet sot, teksa i pranishëm në stendë përshëndetet e takon lexuesit. Sigurisht që i vjen keq për gjithë ato vite, kohë "që nuk ta kthen dot më as Zoti. Ajo është koha e skllavit. Unë i përkas një populli të vuajtur dhe përulem para vuajtjes së kombit. Lutem që kjo vuajtje të ndihmojë për të kuptuar vlerat e gjithçkaje". Nuk është penduar se pse nuk e mbajti pak penën. Është penduar që nuk u zbraz më shumë. Gjithsesi edhe në burg shkroi. Poezi të cilat i ka përmbledhur në një vëllim, i pari dhe i vetmi me pjesë të burgut. Por nuk e mohon se më vonë dëshira që të rrëfejë për burgun mund të rikthehet. E krahason me një gjendje që të kaplon, së cilës je i detyruar t‘i bindesh. "Në burg kemi shkruar fshehurazi. Shfrytëzonim rregulloret që të lejonin të bëje ndonjë letër në familje, apo mund të denoncoje e të dërgoje gjithë ditën letra në Komitetin Qendror. Zija një cep duke u shtirur se po i bëja ndonjë letër shtëpisë. Herë-herë ia jepnim miqve tanë, shokë të burgosur, për të cilët mendonin se nuk do dyshoheshin. Nga ta ka qenë një akt vërtet i lartë. Rrezikonin të dënoheshin edhe më shumë se ne që i shkruanim. Ishin mjeshtërit e të fshehurit. Nuk i pyesnin ndonjëherë se ku i vendosnin. Ndoshta i çonin në pullazin e një depoje, midis ushqimeve apo në kashtën e dyshekut. Unë i kam futur si shtresë në opingat e mia. Shikoja cili polic do të ishte në takim me familjarët e mi. Nëse ishte ndonjëri i rreptë e që kontrollonte, atëherë nuk i merrja me vete. Ndërsa kur mendoja se do të ishte dikush që ishte pak si i përgjumur, me shumë frikë i fusja si shuaj këpucësh. Kam pasur rast t‘i nxjerr nga burgu poezitë para se të dal vet", kujton Zhiti. I është shumë mirënjohës familjes, motrës së martuar dhe burrit të saj, të cilët mbanin të groposur në oborrin e tyre një fletore burgu. Sot ato janë vlera. Atëherë dukeshin marrëzi dhe një rrezik i madh. As sot nuk e di fatin e dorëshkrimeve që i morën në shtëpi kur e arrestuan. Ishin 39 fletore, një ditar, sinopse tregimesh dhe një sasi poezish. Madje e shfrytëzuan ditarin për të kuptuar dobësitë e tij, e për t‘i përdorur në gjyqin që iu bë. Zhiti tregon se edhe sot e përjeton shumë procesin krijues. "Edhe mua vetë më ha ajo që shkruaj. E ndiej edhe fizikisht. Më ka ndodhur që në librin ‘Perëndia mbrapsht dhe e dashura‘, jam sëmurë bashkë me personazhin". Ndonëse këto kohë është i angazhuar me punë administrative, për kulturën dhe arsimin në Ambasadën Shqiptare në Romë, shprehet se mundësitë janë të mëdha. "Italia është një potencial i Evropës në drejtim të kulturës. Ne duhet të jemi më të zotë të arrijmë këtë harmoni", shprehet ai. Librat e tij janë botuar në disa gjuhë. Në vendin fqinj, atje ku punon, është vlerësuar edhe me çmime. Për të, lexuesit italianë janë të dashur dhe shfaqin interes edhe për atë çka ndodh në Shqipëri. "Italia ka lexues të shumtë. Ndonjëherë bie kambana që libri lexohet pak, e sidomos poezia. Por çuditërisht unë kam parë radhë në librari, njerëz që dhurojnë libra, dhe më duket një shenjë e mirë", përfundon shkrimtari.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›