E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabashi në Durrës me mesazhe mirësie

Ndërsa ende jehojnë dhe nuk janë zbehur mesazhet që aktori i madh i skenës shqiptare, Mirush Kabashi, ka përcjellë nëpërmjet interpretimeve të shumta të Sokratit, ai vjen këtë herë me një tjetër mesazh, atë të mirësisë dhe dashurisë njerëzore që shkon përtej paragjykimeve fetare. Mbrëmjen e së enjtes, premiera e monodramës "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit" do të shfaqet në skenën e Teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit për të marrë udhë prej këtej dhe në skenat e teatrove të tjera. "Shoqëria shqiptare ka nevojë për mesazhin e moralit, të mirësisë dhe të dashurisë njerëzore, të cilat janë shprehur më së miri në veprën "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit" të francezit Erik Emanuel Shmit, dramatizimi i së cilës do të shfaqet para artdashësve durrsakë të enjten dhe të premten. Udhëheqësi artistik i shfaqjes, Alfred Bualoti, gjatë një konference për shtyp të organizuar në hollin e teatrit të Durrësit, nënvizoi rëndësinë e këtij mesazhi universal, që përcillet në monodramën me të njëjtin titull të Shmitit, që vjen e përshtatur dhe e vënë në skenë nga Mjeshtri i Madh i saj, Mirush Kabashi. Ai do të jetë dhe protagonisti i vetëm i saj. Aktori Mirush Kabashi, që kthehet në Durrës pas një mungese të gjatë artistike, po jo fizike, u shpreh krenar që po sjell për herë të parë për publikun shqiptar një vepër të këtij shkrimtari të njohur sot në botë. Sipas Kabashit, monodrama "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit" sjell një mesazh të thjeshtë në dukje, po të domosdoshëm për një shoqëri demokratike. Në realitetet dhe diskutimet pafund mbi identitetin që jeton vendi ynë, po dhe e gjithë bota civile që po gërryhet nga paragjykimet dhe diskriminimet fetare, mesazhet që përcjell autori janë të thjeshta dhe njëkohësisht të fuqishme. Tronditin dhe të bëjnë të reflektosh. "Jemi njerëz dhe pasuria shpirtërore që u përcillet të tjerëve vlen shumë. Unë uroj që spektatorët ta shohin dhe ta gjykojnë monodramën "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit" njëlloj si unë", tha Kabashi, i cili prej katër vjetësh po punon për vënien në skenë të kësaj monodrame, e cila është një përgjegjësi e madhe pas suksesit që ka përjetuar monodrama "Apologjia e vërtetë e Sokratit". Ndonëse vjen për herë të parë në vendin tonë, vepra e Shmitit është ngjitur në shumë skena të botës, madje dhe është ekranizuar në Francë, ku në rolin e zotit Ibrahim ka interpretuar i madhi Omar Sherif, i cili është nderuar për këtë rol nga OKB me "Çmimin e Paqes". Mesazhet që përcjell romani i shkurtër i shkrimtarit francez që prej 9 vjetësh janë përcjellë nga disa qindra skena teatrore të Gjermanisë, Turqisë, Francës, Spanjës, Belgjikës, Izraelit, SHBA-së, Bullgarisë, Zvicrës, Rusisë, Polonisë etj. Falë përzgjedhjes së Kabashit, mesazhet mbërrijnë dhe për publikun shqiptar. Në vepër, feja islame paraqitet nën një dritë pozitive, në kohët që asaj i bashkëngjiten vetëm fenomene të errëta, përfshirë këtu dhe akte terroriste. Shmit është i bindur se këto janë vepra të militantëve që veprojnë në emër të fesë, pa qenë realisht pjesë e saj. Vetë autori i veprës, 48-vjeçari Erik-Emanuel Shmit shkruan se është folur shumë rreth faktit që në këtë pjesë djali është hebre dhe dyqanxhiu është mysliman. "E kam bërë me dashje një paraqitje të tillë, pasi doja të vërtetoja se në shumë vende të kësaj bote (kryeqytete të Evropës, qytetet porte, qytetet amerikane etj.), njerëz me besime të ndryshme fetare dhe me kultura të ndryshme, bashkëjetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. U ndjeva krenar kur mësova se në Izrael, arabët, hebrenjtë dhe të krishterët e mbështetnin përdorimin e "Zotit Ibrahim dhe lulet e Kuranit", si mënyrë për përhapjen e shpresës", është shprehur Shmit, duke theksuar dhënien e mesazhit të vëllazërimit dhe paqes. Edhe këtë herë përzgjedhja e duhur dhe në kohën më të mirë të mundshme e bën Mirush Kabashin një aktor unik, një artist që rrezaton përtej profesionalizmit qytetari dhe ndikim te qytetarët përmes forcës së artit të fjalës, duke përçuar mesazhe, qëndrime për situatat, në të cilat ka kaluar vendi gjatë këtij tranzicioni të gjatë, ku shpesh është vënë në diskutim dhe identiteti fetar i shqiptarëve për të siguruar të shumëpriturin dhe shumëpërfolurin integrim në gjirin e vendeve të zhvilluara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›