E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika nuk ka bërë asgjë për mbrojtjen e fëmijëve

Fëmijët e dhunuar, foto arkiv

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/DCI Shqipëri) me rastin e 1 Qershorit, kërkoi nga politika dhe drejtuesit e institucioneve të tregojnë se çfarë kanë bërë për fëmijët dhe si i kanë mbrojtur të drejtat e tyre.

Sot fëmijët anembanë Shqipërisë, sidomos fëmijët e varfër, fëmijët që jetojnë me ndihmë ekonomike, që janë të braktisur e të neglizhuar nga familjet e tyre, fëmijët që për të mbijetuar lypin, vjedhin apo shesin trupin e tyre, duan të dinë se kush i mbron të drejtat e tyre!, thuhet në reagim.

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve kërkon që të hartohet një legjislacion i ri për mbrojtjen e fëmijëve nga pornografia. Gjatë vitit 2011 pranë kësaj qendre kanë qenë 16 raste ku fëmijët janë ndeshur me postime të pahijshme, me kërcënime, ofendime, shantazhe dhe ftesa për tu bërë pjesë të faqeve me përmbajtje pornografike.

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve  thotë se, çdo ditë numri i rasteve të raportuara shtohet, tregues ky që fëmijët shqiptarë po ekspozohen çdo ditë e më tepër ndaj pornografisë, sidomos asaj në internet.

Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë pa një ligj që ndalon përdorimin e dhunës ndaj fëmijëve. ALO 116 raporton se gjatë vitit 2011 më shumë se 1273 raste i referohen dhunës ndaj fëmijëve. Po ashtu, të dhënat paraprake tregojnë se 52% e fëmijëve janë të ekspozuar ndaj sjelljeve të dhunshme, 73% raportojnë eksperienca të abuzimit psikologjik, 31% e fëmijëve raportojnë neglizhim të prindërve apo kujdestarëve gjatë fëmijërisë, 66% kanë pësuar abuzim psikologjik dhe 16% e tyre raportojnë forma të abuzimit seksual. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›