E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS nuk i ofron mbështetje Zaganjorit, Rama: Duam proces

Zyra e shtypit zbardhi takimin e zhvilluar sot midis Ramës dhe kandidatit të propozuar nga mazhoranca për në krye të Shtetit, duke nënvizuar se Rama kërkon një proces ku të përfshihet të gjitha partitë parlamentare në një dialog konstruktiv.

“Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës, jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria”, ka thënë Rama.

Kjo, theksoi kryesocialisti gjatë takimit, vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e zotit Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës.

“Partia Socialiste mbeten plotësisht të angazhuar për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. Kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë, në një tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve për t’i dhënë një shans real raundit të   dytë dhe vetë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, si edhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tre pikave të tjera”, thuhet më tej. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-06-01 12:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›