E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Politika nuk mund të ndryshojë vendimet e gjykatës”

Autori i Lajmit: Redaksia

Në ditët e tyre të fundit të qëndrimit në Shqipëri, raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i kanë vendosur notën maksimale zgjedhjeve te 28 qershorit. Ndërsa për sa i përket pretendimeve të opozitës për rinumërim të votave, Devid Uillshajer dhe Jako Lakso gjatë takimeve me krerët e shtetit kanë theksuar se në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave. Dy raporterët ndodhen në një mision fakt-mbledhës për raportin e fund- janarit te 2010-ës për Shqipërinë. Raport i cili do të vlerësojë nëse vendi ynë i ka arritur standardet për të dalë apo jo nga monitorimi i KE-së. Reporterët i bënë me dije kryeministrit Berisha se pas përfundimit elektoral të 28 qershorit vizita e tyre është thjesht rutinë, për të shprehur gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të ndihmuar Shqipërinë për çështje me interes të përbashkët. Ndërsa Kreut të Shtetit, Bamir Topi, reporterët i kanë vënë në dukje nevojën e vazhdimësisë së reformave, përmbushjes së standardeve dhe të përparimit në rrugën e sigurt integruese të Shqipërisë në BE. Në takimin me ministrin e Jashtëm Meta, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të KE-së, u shprehën se i qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin qe ata po përgatisin.

Deklarata

Reporterët Laakso dhe Ëilshire e uruan Berishën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit dhe fitoren e koalicionit qeverisës në këto zgjedhje. Më tej, reporterët i bënë me dije Kryeministrit se, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, vizita e tyre është një vizitë rutinë, për të shprehur gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të ndihmuar dhe për të dhënë mbështetjen e saj për Shqipërinë, për çështje me interes të përbashkët. Për sa i përket kërkesave të opozitës në vend për rinumërim, në takim u theksua se, në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave. Kryeministri i falënderoi reporterët për vizitën, duke u shprehur gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare. Berisha u bëri me dije reporterëve të Këshillit të Evropës se zgjedhjet parlamentare ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me infrastrukturën më moderne të teknologjisë së lartë të informacionit, me kuadrin ligjor tërësisht të ri, të hartuar dhe miratuar me konsensus të gjerë mes mazhorancës dhe opozitës dhe se Uatchdog-u i zgjedhjeve konfirmon se nuk ka pasur parregullsi për sa i përket procesit të numërimit apo nxjerrjes së rezultatit. Kreu i Qeverisë i falënderoi reporterët për mbështetjen e vazhdueshme të Asamblesë Parlamentare dhe Këshillit të Evropës ndaj Shqipërisë dhe i siguroi për vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar këtë bashkëpunim të ngushtë. Përfaqësuesit e KE-së u shprehën se i qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet, përfshi edhe vëzhguesit e dërguar nga KE, dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin qe ata po përgatisin. Reporterët e KE-së kanë takuar dje dhe presidentin Topi. Në këtë takim, Kryetari i Shtetit u ndal në disa prej arritjeve më konkrete dhe perspektivës së realizimit të reformës në fushën e drejtësisë për përmirësimin e sistemit gjyqësor, ruajtjen e pavarësisë institucionale, rritjen e profesionalizmit, rritjen e imazhit dhe integritetit të gjyqtarëve, realizimin e transparencës ndaj publikut, si dhe për fitimin e besueshmërisë së tij ndaj vendimeve të institucioneve dhe organeve të drejtësisë në vend. Më tej Topi vlerësoi standardin e këtyre zgjedhjeve. Nga ana e tyre, raportuesit e KE-së shprehën vlerësime për përparimin e bërë nga Shqipëria në drejtim të demokratizimit dhe konsolidimit të demokracisë dhe bashkëpunimit konstant dhe të efektshëm me Këshillin e Evropës. Ndërsa kreu i diplomacisë shqiptare në takimin me raportuesit e KE-së shprehu bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat për në BE, si dhe ecuria në proçesin e liberalizimit të vizave janë tregues të drejtpërdrejtë të suksesit të reformave institucionale.

Ky lajm është publikuar: 06/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›