E Hënë, 2 Nëntor 2026

Politika reagon për ndarjen nga jeta e ish-kryeministrit Fatos Nano: Lamtumirë kryetar!

Politika shqiptare ka reaguar për lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish-liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Në mënyrë të menjëhershme erdhi reagimi i kryeministrit Edi Rama.

“Lamtumirë kryetar”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook, teksa e shoqëron me një foto të Fatos Nanos.


Begaj: Fatos Nano do të mbahet mend si lider liberal dhe reformator

Në reagimin e tij ngushëllues, presidenti Bajram Begaj shkruan se ish-kryeministri Fatos Nano do të mbahet mend si lider liberal dhe reformator.

“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ’90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lider liberal dhe reformator. Ngushëllimet e mia i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar!”, shkruan Presidenti Begaj në reagimin e tij.


Reagon ish-Presidenti Topi pas ndarjes nga jeta së Fatos Nanos: I jam mirënjohës për votën e tij si President

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka reaguar me një mesazh në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Partisë Socialiste dhe ish-Kryeministrit, Fatos Nano.

Në deklaratën e tij, Topi thekson vlerën e Nanos si figurë politike, duke e cilësuar si “politikan qytetar, liberal dhe komunikues modern”.

Më shumë se vlerësimet e përgjithshme, ish-Presidenti Topi ka kujtuar një moment personal dhe historik, ku Nano, si kundërshtar politik, sipas tij, tejkaloi pozicionin partiak për të mbështetur zgjedhjen e tij në krye të shtetit.

“Personalisht i jam mirënjohës, pasi tejkaloi pozicionin e tij politik për të më votuar si President i Republikës, duke mënjanur krizën politike e kushtetuese,” theksoi Topi në mesazhin e tij.

Topi gjithashtu vlerëson sjelljen e përgjithshme politike të Nanos me opozitën, duke e përshkruar atë si “plot predispozicion për dialog e kompromis”.

Mesazhi i ish-Presidentit mbyllet me një ngushëllim standard për familjen dhe miqtë: “U prehtë në paqen e përjetshme!”.


Balla: Lideri që modernizoi Partinë Socialiste dhe Shqipërinë

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka reaguar për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos. Në reagimin e tij, Balla vlerëson figurën e Nanos si liderin që modernizoi Partinë Socialiste dhe vetë Shqipërinë.

“Sot e humbëm Kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje. U prehsh në paqe shef”, shkruan Balla.


Spiropali për Fatos Nanon: “Pusho në paqe, Kryetar!”

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar në rrjetet sociale pas njoftimit për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit Fatos Nano, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë historike.

Spiropali e vlerwsoi ish-Kryetarin e Partisë Socialiste me një mesazh të shkurtër dhe simbolik: “Pusho në paqe, Kryetar!”.

Ministrja e theksoi se figura e Fatos Nanos duhet të shërbejë si pikë referimi për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

“Vetëm njohja e rrënjëve dhe nderimi i tyre stabilizon të tashmen dhe garanton të ardhmen. Lamtumirë”, shkroi Spiropali.


Braçe: Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare

Edhe deputeti socialist, Erion Braçe, reagoi për ndarjen nga jeta të ish kryeministrit Fatos Nano.

“Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!”, shkruan në mesazhin e tij Braçe.


Peleshi: Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës

Në reagimin e tij kryetari i Kuvendit Niko Peleshi e cilëson Fatos Nanon politikanin modern dhe arkitektin e transformimit historik.

“Lamtumirë, Fatos Nano! Pak çaste më parë Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themelues dhe udhëheqës vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005.

Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë për një brez të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që të gjithë ëndërronim. Ai kishte atë aftësi të rrallë për t’u dhënë hapësirë ​​njerëzve për të provuar veten në shërbim të vendit.

Por figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë evropiane në mjedisin tonë publik. Ai ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte në lirinë individuale dhe zhvillimin ekonomik, i binduri evropian që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe evropiane. Në një kohë kur shumë veta mendonin ende me mendësitë e së kaluarës, ai fliste për të ardhmen.

Për të Majtën Shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e rriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë evropiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, për ta mbajtur atë në këmbë në një kohë kur fija mbi të cilën ai varej ishte jashtëzakonisht e hollë. Ai kishte guximin për të thyer dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të momentit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe modernizonte vendin.

Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ata prej nesh që patën privilegjin ta njihnin, ta dëgjonin dhe të punonin përkrah tij e dinë se Shqipëria humbi një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste sot. I paharruar, Fatos Nano!“, shkruan Peleshi.

Ish-kryeministri, Fatos Nano u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare. Ai ishte i shtruar prej disa ditësh në një spital privat në Tiranë, ku po trajtohej për probleme shëndetësore.

Ish-kryeministri prej kohësh vuante nga probleme me mushkëritë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ditët e fundit.

Kujtojmë se dy vite më parë, ish-kreu i Partisë Socialiste u përball me probleme shëndetësore si pasojë e probleme të frymëmarrjes. Ai iu nënshtrua dhe një ndërhyrje kirurgjikale si pasojë e sëmundjes Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK.

Gjatë kohës që ishte në spital, Nano u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike.

Fatos Nano ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë me Partinë Socialiste. Ai është themeluesi i PS-së, parti të cilën e udhëhoqi deri në vitin 2005, kur dhe vendosi të largohej nga politika.


Majko për Fatos Nanon: Kundërshtarët e tij, mund të mbështeteshin tek ai për të vepruar me dinjitet

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka reaguar me një mesazh analitik pas ndarjes nga jeta të ish-Kryeministrit Fatos Nano, duke e vlerësuar rrugëtimin e tij politik dhe njerëzor.

Majko theksoi se Nano i provoi të gjitha drejtimet politike dhe se momenti më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri ishte burgosja si drejtues i PS-së në opozitë.

“Si çdo njeri me pushtet, ai kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në ‘menu’! Në rrugëtimin e jetës së tij, ai i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!”, shkruan Majko.

Sipas tij, Nano nuk ishte nga ata politikanë që mbahen mend vetëm nga “servilët”, Majko nënvizon aftësinë e tij për të ruajtur dinjitetin edhe me kundërshtarët.

“Kundërshtarët e tij, mund të mbështeteshin tek ai për të vepruar me dinjitet,” theksoi ish-deputeti.

Në përfundimin e postimit të tij, Majko e konsideroi arritjen më të madhe të Nanos largimin nga etja e pushtetit.

“Pushteti, është shfaqja më e vjetër, por edhe irracionale e natyrës njerëzore. Fatosi doli prej saj me titullin ‘njeri’!”, përfundoi ai, duke iu drejtuar me ngushëllim: “Dheu i lehtë Fatos! Qofsh i parajsës!”.


Manastirliu: Lideri që themeloi dhe drejtoi Partinë Socialiste në kohëra sfiduese

Kandidatja e Partisë Socialiste për kreun e bashkisë Tiranë, Ogerta Manastirliu vlerësoi se Fatos Nano është lideri që themeloi dhe drejtoi Partinë Socialiste në kohëra sfiduese për vendin dhe la gjurmë të pashlyeshme në politikën shqiptare.

“U prehsh në paqe Kryetar! E trishtuar për ndarjen nga jeta të udhëheqësit historik të socialistëve shqiptarë, Fatos Nano. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe familjes sonë të madhe socialiste”, u shpreh ajo.


Shehu ngushëllon për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos: Një humbje për politikën shqiptare

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe themeluesit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Shehu e cilëson këtë si një humbje të madhe, jo vetëm për familjen e tij dhe Partinë Socialiste, por për të gjithë politikën shqiptare.

“Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e z. Fatos Nano! Një humbje për familjen socialiste. Një humbje për politikën shqiptare. Ngushëllime familjes së tij, e cila e ndjen dhe e përjeton më shumë se gjithkush këtë humbje. Bashkëpunëtorëve ndër vite. Miqve dhe shokëve. Ngushëllime!”


Manja: Fatos Nano përfaqëson ndarjen mes frikës së komunizmit dhe debatit për demokracinë

Ish-ministri socialist i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar me një mesazh për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit Fatos Nano, duke e cilësuar atë si figurë e një epoke historike.

Manja vlerëson rëndësinë e kontributit të Nanos në tranzicionin e Shqipërisë.

“Ka politikanë që përfaqësojnë kohën ku jetojnë, dhe ka të tjerë që përfaqësojnë epoka,” theksoi Manja në reagimin e tij.

Sipas ish-ministrit, kontributi i Nanos ishte vendimtar në ndryshimin e narrativës kombëtare: “Fatos Nano ishte ndarja mes dy botëve: aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë.”

“Lamtumirë, Kryetar!”, përmbylli ai mesazhin e tij.


Ali Ahmeti për Fatos Nanon: Na lidh miqësia dhe bashkëpunimi nga kohët e sfida

Kryetari i Partisë për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka reaguar me dhimbje për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Ahmeti e cilësoi Nanon si “mik të vjetër” dhe “shok të orëve të vështira”, duke kujtuar lidhjen e tyre që daton nga periudhat e sfidave historike.

“Na lidhte miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë që lindi në kohëra sfidash, kur idealet për liri, demokraci dhe zhvillim ishin udhërrëfyesit tanë të përbashkët”, shkruan Ahmeti, duke nënvizuar bashkëpunimin e tyre ideologjik.

Ahmeti e vlerësoi ish-kryeministrin si një figurë me rëndësi kombëtare: “Fatosi ishte njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë.”

Kryetari i BDI-së i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë atyre që e vlerësuan Nanon, duke e mbyllur mesazhin me: “U prehtë në paqe miku im, Fatos Nano. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë gjithmonë.”


Haradinaj për Nanon: Kontribues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize

Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka dërguar një telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Haradinaj e cilësoi Nanon si një figurë me rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano,” theksoi Haradinaj.

Duke folur për kontributin e tij, ish-kryeministri i Kosovës theksoi rolin vizionar të Nanos, veçanërisht në periudha të vështira. “Kontribuues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë,” deklaroi ai.

Përmes mesazhit të tij, Haradinaj i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, Kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe “gjithë shqiptarëve”.


Veliaj: Fatos Nanos, kryetari që formësoi PS-në! Mirënjohës për frymën që i dha të majtës

Ish-kryetari Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare. Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë. Sot kujtojmë me respekt një udhëheqës tolerant e liberal, i cili diti t’i tregojë këto cilësi edhe me mua, vite më parë, në ditët e rebelimit aktivist. Demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sepse liria nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe përgjegjësia për të kuptuar. Kjo ishte fryma që Fatos Nano i dha të majtës shqiptare dhe për çka duhet t’i jemi mirënjohës. U prehtë në paqe.”-shkruan Veliaj


Ambasadës Italiane: Fatos Nano, mik i Italisë dhe reformator i marrëdhënieve dypalëshe

Ambasada e Italisë në Tiranë ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit Fatos Nano, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme në historinë politike të Shqipërisë dhe një mik të afërt të Italisë.

Në mesazhin e saj zyrtar nw rrjetet sociale, Ambasada shkruan,  “Ka ndërruar jetë sot Fatos Nano, ekonomist, drejtues historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, disa herë Kryeministër dhe mik i Italisë. Duke kujtuar angazhimin e tij në modernizimin e Shqipërisë dhe kontributin e dhënë në çuarjen përpara të marrëdhënieve dypalëshe, Ambasada u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë shoqëruar në jetën e tij politike.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›