E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika shqiptare dhe diplomacia

Përpjekje të diplomatëve për të takuar duart e liderëve politikë, përpjekje për të ulur në një tavolinë liderët politikë, përpjekje për të mbledhur në një feste liderët politikë aktualë apo ish-liderët!..Përpjekje, përpjekje dhe gjithnjë përpjekje për të zbutur klimën politike!.. Këto përpjekje të diplomacisë pa dyshim mbartin dashamirësi dhe përgjegjshmëri. Por pas raportit negativ të BE-së, ngjan se përpjekjet mbartin edhe “foshnjëri” ashtu si dikur sjellja jonë ne lodrat fëmijërore!.. Ngjajnë si ato përpjekjet e fëmijëve për të pajtuar qejfmbetësit në lojërat e luftërave, në lojërat me pllaka guri, ne lojërat me top prej lecke apo si në të tjera lojëra nga inventari i shumëlarmishëm i lojërave fëmijërore… Me keq këto përpjekje duket se mbartin mungesë koherence, mungese principializmi, drejtpeshimi dhe dy standarde në analizë, në gjykim, në propozime dhe në sjellje prej diplomateve!..Politika shqiptare me sa duket e ka zgjedhur rrugën e vet. Konflikt të përjetshëm ditë pas dite, orë pas ore. Në këtë konflikt, kur iu kanë mbaruar “municionet”, politikanet nuk kanë munguar të ndeshen trup më trup si në një betejë për jetë a vdekje. Por në fund të çdo beteje nga bashkësia e politikanëve nuk ka viktima. Viktimat janë të tjerë..më së shumti qytetarët shqiptarë. Tashmë duket qartë se interesat e politikës janë të ndara nga interesat e qytetarëve. Është e arsyeshme që për ambasadoret të ketë gjëra më të rëndësishme se sa interesat tona si qytetarë. Këtë ne e dimë shumë mirë dhe vetë ata na i keni thënë, na e kanë provuar e riprovuar disa herë pa reshtur. Kjo është një e vërtetë që nuk iu sjell keq shqiptarëve. E keqja qëndron në atë se çështjet e qytetarëve nuk janë prioritare në axhendën e ambasadoreve ose nuk zënë vend në bllokun e axhendës diplomatike. Të ngjan se ambasadoret më shumë se për të mirën e shqiptareve e të Shqipërisë, shqetësohen për fatin e politikaneve. Duket se nën okelion e një stabiliteti në vend dhe në rajon, ambasadoret kanë harruar të shikojnë se në Shqipëri demokracia është katandisur thjesht një perceptim apo një emër që nuk mbart ndonjë vlerë. Më tej ambasadoret nuk “arrijnë” të depërtojnë në thellësi dhe në shtrirje të shoqërisë shqiptare, të shohin realitetin në shtresat e ndryshme të popullsisë, në grupimet shoqërore, në krahina të tera, në zonat urbane dhe rurale ku është Ajo për të cilën ata flasin dhe thonë se janë miq të saj, Shqipëria hallemadhe!.. Në rrugë diplomatike ambasadoret transmetojnë vendime politike të shteteve apo bashkësive të shteteve që përfaqësojnë. Por këto vendime politike me të shumtën e herëve nuk përputhen me shqetësimet, dëshirat dhe prosperitetin e shoqërisë shqiptare! Politikisht na futen në NATO, në një moment kritik kur ushtria shkaktoi një tragjedi të rende vetëm pak kilometra nga rezidencat e ambasadoreve!.. Kujt i shërbeu ky vendim politik, në atë kohë dhe tani? Shqiptarët nuk kanë përfituar asgjë, përveç se mund të krenohen, nëse iu vjen rasti, që janë qytetarë tanë jashtë vendit anëtar të NATO-s. Por politikanet, qeveria dhe kryeministri Sali Berisha kanë fituar shumë. Fituan dhe rifituan pushtet duke përdorur flamurin, emrin, autoritetin e NATO-s dhe fotot e kryeministrit Berisha me Presidentin e SHBA-s në samitin e pranimit. E turpshme, nuk bën ta mendosh, por ja që ka ndodhur pikërisht kështu, aq sa flamuri i NATO-s dhe tryeza e samitit ishin spot televiziv i Sali Berishës në fushatën zgjedhore 2009!..
Më ndjeni, që në pjesën vijuese të shkrimit do t’iu drejtohem pak pa takt drejt për drejt juve zotërinj ambasadorë. Më thoni në cilin vend të NATO-s vidhen zgjedhjet dhe vriten qytetaret demonstrues prej qeverise “demokratike”?!... Politikisht, duke na pranuar në NATO pa plotësuar standardet i dhatë një dhuratë Sali Berishës, heshtet kur emri dhe fuqia juaj u katandis spot i Sali Berishës, pranuat vjedhjen e zgjedhjeve të qershorit 2009, por kush përfitoi nga vendimi politik i kancelarive tuaja? Përsëri qeveria dhe i njëjti njeri Sali Berisha po çimenton pushtetin neodiktatorial dhe këtë po e bën nën hundën tuaj, duke iu bërë karshillëk e pse jo duke u sjellë me arrogancë. Korrupsioni u kthye në platformë qeverisjeje, institucionet shtetërore u uzurpuan, u shemben dhe u poshtëruan. Ju thoni shqiptareve në cilin vend të Europës apo vend anëtar të NATO-s shahet Presidenti si të jetë një qytetar rrugaç, apo përgojohet e shahet Prokuroria e Përgjithshme si të ishte qytetare lavire?!..Politikisht e diplomatikisht, duke mos i venë pikat mbi “i”, ju pretendoni se kini siguruar qetësinë dhe stabilitetin e Shqipërisë. Bukur fort zotërinj, por me thoni në cilin nga vendet tuaja apo një të ngjashëm si vendet tuaja një kryeministër urdhëron të qëllohet me armë zjarri mbi demonstruesit? Në cilin vend, qoftë edhe me demokraci të brishtë, gardistet vrasin me arme zjarri për vdekje 4 qytetarë demonstrues dhe plagosin dhjetëra të tjerë, vetëm e vetëm pse ata demonstronin kundër vjedhjes dhe korrupsionit të qeverise, edhe të irrituar nga një rast të dhënë ‘live’ në Tv të një video të incizuar në zyrat e qeverisë. Kush nga kryeministrat apo Presidentet tuaj ka akuzuar demonstruesit si vrasës të njeri-tjetrit, ka akuzuar opozitaret, Presidentin dhe Prokuroren e Përgjithshme si puçiste dhe më tej ka penguar arrestimin e fajtoreve kriminelë?!.. Për me keq ky kryeministër jo vetëm pengoi arrestimin e fajtorëve, por zhduku edhe provat e krimit. E pra, na jepni një shembull të tillë për një kryeministër të një qeverie në komunitetin tuaj, të paktën vetëm një dhe në të qetësohemi se ngjajmë sado pak me juve!...Natyrisht nuk jini ju që duhet të përgjigjeni. Ne fund të fundit këto janë çështje të politikes shqiptare, të kryeministrit dhe qeverisë shqiptare. Por ju duhet të orientoni veprimtarinë diplomatike nga kahu realist, për të vlerësuar atë që ngjet dhe në mënyrën tuaj apo në mënyrën dhe sjelljen diplomatike të shpreheni me drejt për drejt mbi ngjarjet, mbi faktorët që çojnë në këto ngjarje, mbi kushtet klimëformuese për këto ngjarje apo zhvillime dhe pse jo mbi përgjegjësitë. Nuk di sa vlerë ka ndarja e përgjegjësive sipas formulës 50 me 50%, që ju preferoni ta përdorni rëndom në komunikimin me publikun shqiptar! Kujt i shërben ky lloj deklarimi kompromisaxhi për përgjegjësitë reale? Është vështirë t’i gjesh një përgjigje, por një gjë duket si drita e diellit-vetëm shqiptarëve nuk iu ka shërbyer. Shqiptarët edhe pse në Europë mbeten jashtë Europës, edhe pse anëtarë të NATO-s ndjehen si nën qeverisjen e një klike të gjithëpushtetshme larg standarteve demokratike e sociale të qytetareve në flamurin e NATO-s! Edhe pse iu thonë se jetojnë në një qeverisje demokratike, ata nuk gëzojnë liritë themelore që garantojnë kushtetutat e një vendi demokratik!..
zotërinj ambasadorë, duket se ka ardhur koha që ju dhe kancelaritë tuaj të ktheni sytë nga qytetarët shqiptarë, të komunikoni me ata, të mundoheni t’i kuptoni ata dhe t’i jepni politikes monedhën që i takon. Por mos harroni që asnjëherë të mos e ndani përgjegjësinë 50 me 50%. Jepini secilit hakun që i takon. Sa më të çiltër aq më mirë. Edhe në gabofshi me çiltërsi, mëkati do të jetë më i vogël se mëkati që keni bërë deri sot. Dua ta mbyll duke vlerësuar dhe respektuar shtetet tuaja, juve dhe të gjithë strukturave tuaja për përpjekjet shumëvjeçare në të mirën e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ndërkohë, dua të shprehem se ajo që iu pret është më e vështirë se ajo çfarë kini bërë deri sot. Duhet të korrigjohen gabimet e përbashkëta dhe kjo është më e vështira, por duhet bërë tani. Nëse nuk behet çdo ditë që vjen do të jetë më e vështirë, më e rendë dhe me kosto më të lartë për t’u bërë. Ju jini diplomatë në Shqipëri, si të tillë duhet të gjeni formën dhe mënyrë diplomatike të të shprehurit shqip. Shprehja si deri tani vetëm se ka lënë fushë veprimi që politikanët të mbarsin situatat njëra pas tjetrës dhe për ironi duke përdorur në favor të tyre prezencën tuaj, shprehjet tuaja apo edhe flamurin e shtetit tuaj. Të paktën shkëputuni nga prezenca dhe nga fotot me mëkataret shqiptare. Bëjeni ju lutem, qe të mund të shpëtojmë në shqiptaret. Në fund të fundit edhe ju thoni se jini miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kini rastin të provoni këtë miqësi që do të sjellë një klimë me të mirë në këtë vend të lodhur dhe puna juaj fisnike do të jetë më e lehtë, me e këndshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›