E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikanët dhe kalorësit

Një nga fenomenet që pasuan zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë ishte eliminimi i partisë reformiste ORA, nga përfaqësimi parlamentar. E para gjë që të del përpara, kur analizon këto zgjedhje, është të kujtohesh se politika nuk është shansi i më të diturve. Ky rast përbën një nga sinjalet më domethënëse për të kuptuar thelbin e politikës së vendeve në tranzicion. E më pas për të kuptuar trendin se kah mund të shkojë politika kosovare, të paktën, në dhjetë vitet e ardhshme.
Nuk ka nevojë të ikim larg, përtej botës shqiptare, për të bërë krahasime. Ahmet Zogu nuk ishte ndër më të zgjuarit, as ndër më të mençurit. Mbreti i vetëm shqiptar, i shkolluar në Perëndim, i përkiste një fisi shumë të njohur të Shqipërisë veriore. Kushdo që ishte i zoti të mblidhte nja 1 000 pushkë, në Shqipërinë e viteve 20-të, mund të vinte në pushtet. Zogu ishte një prej atyre që mund të grumbullonte rreth vetes mbështetës, ushtarë, apo mercenarë, kur të donte dhe si të donte. Por për ta mbajtur pushtetin duhej të ishe edhe një njohës i mirë i mentalitetit shqiptar. Sigurisht që duhej të kishe edhe fat. Ahmet Zogu shpëtoi dy herë për fije të perit nga atentatet (herën e parë në vitin 1923, kur ishte kryeministër, u plagos brenda sallës së parlamentit; ndërsa herën e dytë, kur ishte mbret, në vitin 1931, tek dilte nga një koncert në Vjenë, iu vra një nga truprojat). Shkurt muhabeti, mbreti Zog, para se të bëhej i tillë, ishte një kalorës i mirë. Vetëm një model i tillë mund të çante përpara në Shqipërinë e atyre viteve.
As Enver Hoxha nuk ishte, as ndër më të pasurit, e as ndër më të shkolluarit. I kthyer nga Perëndimi, pas një shëtitjeje më tepër aventureske, mesatarizmi i tij intelektual rezultoi i mjaftueshëm për ta vënë në krye të atyre njerëzve që morën përsipër të luftojnë me vendosmëri fashizmin. Më pas për të shfrytëzuar aleancat, konjukturat politike dhe terrenin, e për të marrë pushtetin në Shqipëri.
Në të njëjtën mënyrë, në Shqipërinë e tranzicionit, më të mençurit kanë dështuar në iniciativat e tyre politikëbërëse. Të shumtën ata kanë mbetur zona rrethuese të trimave, kalorësve mushkaxhinjë, apo kaubojsave të politikës. Kështu ka ndodhur me disa politikanë aktualë që nuk u mungon mençuria, të cilët kanë provuar në vite të jenë rrethinë herë e Sali Berishës, e herë e Fatos Nanos, po kurrë nuk kanë arritur të jenë mirëfilli të suksesshëm në politikë. Jo se këta dy individë nuk ishin intelektualë, por nuk u treguan të mençur, qyshse pasioni për pushtetin kish mundur gjithçka tjetër tek ta.
Në majat e politikës nuk ngjiten më të mençurit. Të shumtën ata mund t'i vijnë rrotull politikës, mund të jenë në shërbim të saj ose në opozicion me të, së brendshmi ose së jashtmi. Shembulli më i fundit është Veton Surroi. Dikur, me urdhër, nuk e lanë të shkruante. Vite më vonë, pasi provoi një subjekt politik, ju desh të themelojë një gazetë të tijën për ta konsideruar veten të lirë. Por kjo liri është e pamjaftueshme, për një qytetar që kërkon të jetojë në një shoqëri të lirë. Tani, ndonëse në mënyrë demokratike, është penguar të futet në parlament. Në një parlament ku, nëse do të kishte ndonjë masë për të llogaritur vlerat politikëbërëse, Surroi do të ishte padyshim njëra prej vlerave themelore të tij. (Të njëjtin argument do të kisha dhënë edhe nëse në parlament nuk do të kishte hyrë, fjala vjen, kundërshtari i Veton Surroit, kreu i LDD, Nexhat Daci). Megjithatë kjo është demokracia. Refuzimi i një oferte, pa e menduar shumë se sa vlerë ka ajo. Rezultati: qeverisja e Kosovës gjithsesi kontradiktore. Edhe sistemi demokratik është difektoz. Sidomos në vende ku tabaninuk është shtruar akoma. Por nuk ka sistem tjetër më të mirë.
Politikën rrallë herë e bëjnë të mençurit, ata që mbeten në historinë e kombeve të tyre si burra shteti. Për të qenë isuksesshëm në politikë nuk duhet të jesh shumë i mençur. Sidomos në rastin e vendeve si Shqipëria apo Kosova, ku më lehtë mund të ndëshkohet mendja se sa budallallëku, më shumë ndershmëria se sa korrupsioni. Ku mund të ringrihesh edhe nëse ke bërë gafa të mëdha, apo edhe nëse ke shkaktuar një kataklizmë shoqërore. (Shembujt më të mirë janë rasti i Berishës në '97 dhe ai i Rugovës në '99).
Këto janë standardet e shoqërisë në tranzicion ku, mesatarisht, askush dhe, në të njëjtën kohë, të gjithë janë fajtorë. Standardet e një shoqërie në të cilën nuk vlerësohen të mençurit, politikanët e mirëfilltë, aq sa kalorësit. Dhe më e keqja as sa mushkaxhinjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›