E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët përdorën medikamente, të dyshimta analizat

Sipas ISHP-së analizat tregojnë se Marie Reka nuk vdiq nga meningjiti. Specialistët: analizat nuk provojnë asgjë pas përdorimit të barnave
Analizat laboratorike pas vdekjes së pacientes nga Durrësi, Marie Reka, përjashtojnë humbjen e jetës së saj nga meningjiti. Këto janë rezultatet përfundimtare të Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilit edhe diagnoza klinike e pacientes nuk e vërtetonte një gjë të tillë. Ndërsa nga ana tjetër, shefi i laboratorit mikrobiologjik në Qendrën spitalore Universitare "Nënë Tereza", Betim Byku, pohon se prania e meningokokut nuk mund të provohet në laborator nëse pacientët janë trajtuar me medikamente menjëherë pasi meningokoku shkatërrohet brenda 2-3 orësh në këtë rast. Kështu vazhdon përplasja e deklaratave mes institucioneve shëndetësore, duke lënë ende të paqartë për publikun faktin nëse rastet e paraqitura si të dyshuara me meningjit kanë arritur të diagnostikohen në mënyrë korrekte.
Analizat
Pacientja nga Durrësi e cila e vdiq si e dyshuar nga meningjiti, sipas mjekëve, mbi të janë përdorur medikamente në mënyrë intensive, por pavarësisht kësaj, ISHP-ja deklaroi dje se analizat tregojnë se ajo nuk ka vdekur nga meningjiti. "Për rastin e 55-vjeçares nga Durrësi, e cila ndërroi jetë në ambientet e QSUT, me dt. 15.01.08, diagnoza klinike dhe analizat laboratorike (pas vdekjes) të kryera në ISHP, përjashtuan humbjen e jetës së saj nga meningjiti",- theksoi zëdhënësi për shtyp i ISHP-së, Luna Kurti. Ndërsa shefi i laboratorit mikrobiologjik në QSUT, Betim Byku, shpjegon se në asnjë nga mostrat e marra te të sëmurët me meningjit në shërbimin infektiv nuk ka rezultuar si shkaktar meningokoku. Analizat e laboratorit mikrobiologjik sipas tij nuk e kanë identifikuar mikrobin, për shkak të medikamenteve të përdorura, edhe pse mjekët mund të këmbëngulin se shenjat klinike janë mirëfilli të një meningjiti menigoksik. "Klinicistët kanë të drejtën e tyre në bazë të shenjave të dyshojnë për meningjitin nga meningokoku, por ne nuk e kemi izoluar në asnjë rast meningokokun si shkaktar, jo sepse nuk kemi mundësi, por sepse nuk është paraqitur asnjë rast", pohon Byku, duke shpjeguar se mangësitë janë të shumta, ndoshta sepse pacientet janë trajtuar me medikamente menjëherë dhe meningokoku shkatërrohet brenda 2-3 orësh në këtë rast. Kështu sipas tij ilaçet e përdorura për të luftuar sëmundjen te të sëmurët e kanë zhdukur meningokokun brenda 2 orëve. Ndërkohë ai u bën thirrje edhe laborantëve në rrethe të bëjnë mbjelljen e mikrobit që në shtratin e të sëmurit, në mënyrë që të identifikohet shkaku. "Laboratorët e rretheve të mbjellin menjëherë mostrat, qoftë edhe në shtratin e të sëmurit që ne tëmund të identifikojmë shkaktarin",- theksoi Byku. Fakti që prania e meningokokut nuk mund të provohet në laborator, sipas specialistëve, nuk do të thotë që ai nuk ka qenë shkaktar i sëmundjes. Por thjesht nuk mund të dokumentohet. Nga ana tjetër edhe mungesa e ekzaminimit mikrobiologjik në laboratorët e rretheve që është vënë re në të gjitha rastet e dyshuara deri tani, në Korçë, Gjirokastër, Tropojë, Fier, Pukë Durrës dhe Burrel e bën situatën akoma më alarmante.
Ministri Ndoka ka theksuar se do të ndëshkohen të gjithë ata mjekë që lejojnë kamerat për marketing të filmojnë të sëmurë duke cenuar rëndë integritetin e tyre
Ndoka: Ndëshkime për mjekët që japin deklarata për të sëmurët
Korçë- Ministri i Shëndetësisë, Ndoka, nga Korça ka lëshuar deklarata të ashpra për mjekët që bëjnë publike kartelat mjekësore dhe identitetin e të sëmurëve nga sëmundje të rënda, duke iu referuar rasteve të fundit të meningjitit në vend. Ndoka ka qenë i ashpër, ndërsa ka kërcënuar se do të marrë masa ekstreme lidhur me të gjithë ata mjekë që lejojnë një gjë të tillë, ndërsa ka tërhequr vëmendjen për sëmundjen ngjitëse, situatë për të cilën sipas tij është keqinterpretuar. Ministri Ndoka ka qenë prezent në qytetin e Korçës për të marrë pjesë në analizën njëvjeçare të Spitalit Rajonal të Juglindjes, ndërsa ka shprehur konsideratat e tij lidhur me rritjen e cilësisë së shërbimeve në këtë spital gjatë vitit të shkuar. Ministri i Shëndetësisë ka kërkuar rritjen e kujdesit dhe transparencës me pacientët. Në fjalën e tij, Ndoka u shpreh se në një spital rajonal, me kushte bashkëkohore siç është ky i Korçës, u shërbehet afro 270 mijë qytetarëve, prandaj dhe kërkoj nga personeli i këtij spitali një kujdes maksimal për pacientët. Përsa i përket rasteve të sëmundjeve ngjitëse dhe publikimi i tyre më media, kanë qenë shqetësuese për numrin një të shëndetësisë në vend, ndërsa ka pohuar se "do të merren masa shumë ekstreme, për të gjithë ata mjekë që bëjnë publike kartelat mjekësore dhe të dhëna të tjera për të gjithë ata të sëmurë në gjendje të rëndë. Nuk do të lejoj, madje do të ndëshkohen rëndë, -ka vazhduar Ministri i Shëndetësisë,-të gjithë ata mjekë që lejojnë kamerat për marketing të filmojnë këta të sëmurë duke cenuar rëndë integritetin e tyre." Ndërkaq sëmundja e meningjitit, dy raste të së cilës janë shfaqur së pari në këtë fillimviti në Korçë ka qenë pjesa tjetër ku Ndoka është ndalur gjithashtu, ndërsa ka pohuar se dhe vdekja e një pacienteje në vend është keqinformuar nga ana e medias. "Përsa i përket sëmundjes së meningjitit, -ka pohuar Ndoka,- situata në vend është keqinterpretuar, duke mos u informuar në mënyrë të saktë dhe në mënyrën e duhur, ndaj nuk do të lejojmë më të krijohen marrëdhënie të tilla me pacientët duke iu bërë i ditur identiteti, madje dhe kartelat e tyre mjekësore." Ministri i Shëndetësisë shtoi se gjatë vitit të kaluar u shënua rënia e rasteve të numrit të vdekjeve, por nënvizoi gjithashtu se kërkohet më shumë kujdes dhe vëmendje për rastet e sëmundjeve epidemiologjike, me qëllim shmangien e alarmit në opinionin publik.
Sëmundja
Çfarë është meningjiti
Meningjiti paraqet inflamacion të cipave të trurit, që e mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore. Mund të jetë i shkaktuar nga viruset ose nga bakteret. Meningjiti viral zakonisht është më i lehtë, ndërsa meningjiti bakterial paraqet infeksion serioz që mund të mbarojë me vdekje nëse nuk jepet shpejt terapi antibiotike. Sipas mjekëve, sëmundja mund të paraqitet me temperaturë e lartë, dhembje të forta koke, shtangim të qafës, përgjumësi e shprehur ose shqetësim, refuzim i ushqimit, pamundësi që t'u përgjigjet pyetjeve të parashtruara. Që të diagnostikohet meningjiti, mjeku duhet të bëjë punkcion lumbal: me gjilpërë hyn në shtyllën kurrizore dhe merr pakëz lëng. Lëngu ekzaminohet nën mikroskop, për prezencën e qelbit dhe baktereve dhe bëhet kulturë, që të shihet nëse ka ndonjë bakter dhe të përcaktohet lloji i bakterit. Trajtimi bëhet vetëm në kushte spitalore dhe përfshin dhënien e antibiotikëve, dhe terapi tjetër mbështetëse.
.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›