Shteti pret të vrarin tjetër...
FENOMENI "GJAKMARRJE"
Aty nga mesi i vitit 1997-të një burrë rreth të 50-ve iu drejtua Gjykatës të një rrethi të vogël në veri të vendit, për të ngritur një padi të thjeshtë për shpërblim dëmi, pasi një bashkëfshatar i tij i kishte vrarë gomarin.
Pranë gjykatës ai pa dhe rojën ku i shpjegoi problemin dhe i kërkoi të futej në gjykatë. Ik more xhaxha, -ia ktheu roja-, se këtu po vriten njerëz e s'po i merr kush përsipër, e jo më të merren me një gomar. Pas disa ditësh dëgjova se ky mesoburri nuk e kishte kapërdirë inatin, dhe kishte ngrehur pushkën duke vrarë bashkëfshatarin. Dhe nga një hakmarrje për shkak të një gomari kjo u kthye në gjakmarrje, dhe sot e kësaj dite këto dy familje janë në hasmëri me njëra-tjetrën. Që mungesa e shtetit siç ishte periudha e fillimit të '97-ës sjell vetëgjyqësi, kjo nuk diskutohet, por ajo që (nuk) dihet është se përse sot kemi një "ringjallje" të vetëgjyqësisë apo gjakmarrjes?Cili është përkufizimi i një shteti të 2008-ës ku një pjesë e shoqërisë përdor një normë tjetër nga ajo ligjorja? Është e thjeshtë të vësh në faj vetëm individin apo kulturën e tij, ku shumë e shumë e japin zgjidhjen vetëm nëse ndryshon mentaliteti. Ndërkohë që ndryshimin e mentalitetit duhet ta paraprije shteti dhe kjo nuk është ide e re, pasi dhe politikanët këtë e dine, por në fakt ç'po bëhet nga ana e tyre.Nga parlamenti, qeveria, Presidenti e KLD-ja kemi heshtje për këtë problem. Është bërë zakon tashmë kur kritikohet vetëm veprimi i një institucioni, e bëri mirë e bëri keq etj., dhe lihet mënjanë paksa mosveprimi. Rasti më tipik i këtij mosveprimi është kur shteti rri duarkryq në pritje të një të vrari tjetër për gjakmarrje.
Gjakmarrja vret përsëri, megjithëse një legjislacion penal është tepër i ashpër. Mungon një thirrje gjithëpërfshirëse e institucioneve për të inkurajuar median, shoqërinë për të protestuar; mungojnë fushata sensibilizuese me iniciator ndonjë institucion, dhe kjo për të mos u lënë thjesht në plogështinë e shumë OJQ-ve. Ky është faji i parë i shtetit, pra mosveprimi. Fenomeni është më i përhapur në zona të varfra në veri të vendit, e në qytete theksohet në zonat e varfra informale. Kësisoj ndihet nevoja për një "terapi" të fortë sociale–ekonomikenë këto zona. Ndihet nevoja të veprohet sidomos nga Këshilli i Ministrave. Kjo mund të arrihet në mënyrë direkte a indirekte, ku qeveria të bëhet pjesë aktive që familje të ngujuara të bisedojnë, dhe kjo të çojë drejt një përfundimi që kanuni e quan falje gjaku. Duke u dhënë subvencione shoqatave, duke ngritur grupe pune për të nxitur e ndihmuar komisionarë që merren me pajtimin e gjaqeve. Puna dhe analiza e këtyre komisionarëve duhet të kalojë në një monitorim më të gjerë sesa vetëm ato të një OJQ-je. Një gjë është e sigurt, se ato komisionarë pajtimi që enden nëpër male në këmbë, për të pajtuar familje, kanë bërë më shumë se një legjislacion penal, parlament a qeveri, që nuk do dinë të ndalojnë këto vrasje "kanunore" tash në mijëvjeçarin e tretë. Diçka duhet bërë, nuk mundet që një shtet që pretendon anëtarësimin në BE dhe NATO të tolerojë që një pjesë e qytetarëve të saj janë akoma në ngujim.