Pa punë dhe i sëmurë, vdes nga alkooli ish -polici
Xhezmi Guri vdiq dje në spitalin e Beratit. Familja: Punoi 13 vjet polic, por u shkurtua nga reforma.
POLIÇAN- Një ish- efektiv policie ka gjetur vdekjen dje si pasojë e konsumit të tepërt të alkoolit. Në kushtet e papunësisë nga reforma dhe pas zbulimit të sëmundjes tumorale në kokë, Xhezmi Guri iu dha pijes, nga e cila humbi jetën dje në spitalin rajonal. Burime nga reparti i urgjencës, në spitalin e Beratit bënë me dije se Xhezmi Guri ka mbërritur në gjendje të rëndë dhe megjithë ndihmën mjekësore, ai ka gjetur vdekjen. Sipas mjekëve, 44-vjeçari, u paraqit në spital në gjendje kome dhe pas vizitës u konstatua se ai kishte konsumuar sasi të madhe alkooli. Analizat e detajuara nxorën konkluzionin se burri vuante prej kohësh nga sëmundje tumorale në kokë. Të afërmit që e kanë shoqëruar në spital, kanë thënë se prej disa muajsh ai kishte ngelur pa punë si pasojë e reformës. Babai i dy fëmijëve kishte 13 vite që shërbente si efektiv në rajonin e policisë Poliçan dhe një reformë e ndërmarrë pak kohë më parë e kishe lënë atë pa punë. Po sipas të afërmëve të tij që kanë pohuar edhe tek ekspertët e policisë gjyqësore, burri kishe nisur të përdorte alkool vetëm pasi kishte ngelur pa punë dhe kishte konstatuar prekjen nga tumori. Në kushte të tilla, pa punë dhe pa asnjë mundësi financiare për të mbajtur familjen burri duket se ka gjetur ngushëllim tek pija. Ndonëse, nuk njihej si një konsumues i rregullt i pijes, 44-vjeçari, ditët e fundit nuk kishte gjetur asnjë mundësi punësimi dhe ishte shndërruar në një konsumator alkooli. Sipas familjes, ai kishte trokitur në disa dyer për punë, por pa asnjë mundësi dhe kjo e bëri shumë pesimist. Paraditen e djeshme ai është parë në një nga baret e zonës dhe është ndier keq. Sipas mjekut toksikolog, Arben Ikonomi, ai ka vdekur nga mbidoza e alkoolit, favorizuar edhe nga gjendja e keqe shëndetësore.