Koncerte dimri për të fituar kohë
Sezoni i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit hapet sot me një koncert "Gala". Është fillimi i një serie prej 8 koncertesh, të titulluara "Koncertet e dimrit", në bashkëpunim me Ansamblin Popullor, me pjesëmarrjen e solistëve të orkestrës së TKOB dhe Trupës së Baletit. Këto koncerte zhvillohen gjatë muajve janar dhe shkurt, duke i paraprirë kështu vënies në skenë të veprave kombëtare dhe të huaja, premiera dhe repertor që do të përfshihen në kalendarin e këtij viti. Flitet për një vit "ambicioz", që përkon me 55- vjetorin e krijimit të TKOB si dhe me vitin e Puçinit. Në programin e koncertit të sotshëm parashikohen të interpretohen pjesë nga operat "Makbeth ", "Traviata", "La Boheme", "Aida", si dhe pjesë koreografike të zgjedhura. Kjo seri koncertesh është një mënyrë për të fituar kohë deri në përcaktimin e kalendarit artistik të këtij viti. Për këtë pritet të mblidhet bordi i sapozgjedhur i TKOB, i cili do të shqyrtojë projektet e ofruara.