E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Plan të mirë, ose falimentoni

Presidenti Obama u ka dhënë një afat të përcaktuar përfaqësuesve të industrisë së makinave, "General Motors" dhe "Chrysler", për t‘u ristrukturuar, para se të përfitojnë nga paketa e ardhshme e ndihmës. "GM" ka 60 ditë në dispozicion për ta bërë një gjë të tillë, ndërsa "Chrysler" vetëm 30 për të paraqitur planin për rimarrjen e vetes nga kriza që po përjetojnë. "Ne nuk mundemi dhe nuk duhet që të lejojmë falimentimin e industrive tona automobilistike, por kjo industri nuk po ecën në drejtimin e duhur në atë masë sa t‘i paraprijë suksesit", ka deklaruar Obama. Sipas tij, firmat e makinave ranë në trazira për shkak të dështimit të drejtuesve të tyre nga Uashingtoni në Detroit. Ai sugjeroi se kërkesa për mbrojtje nga falimenti mund të jetë edhe mënyra më e mirë për të shkuar përpara për të dyja kompanitë. "Plani rikonstruktues mund të ketë domethënien e përdorimit të kodit të falimentit si mekanizëm për t‘i ndihmuar industritë të ecin përpara e të dalin nga kriza edhe më të forta", tha Obama. Sipas tij, kjo do t‘ua lehtësonte punën firmave për të pastruar borxhet e vjetra dhe për t‘iu rikthyer rrugës së suksesit. Sipas Presidentit, planet e ristrukturimit të paraqitura deri tani nga ana e përfaqësuesve të industrive të makinave, që parashikojnë një ndihmë tjetër prej 20 miliardë dollarësh nga ana e qeverisë, janë sipas Obamës jo të mjaftueshme për ndreqjen e plotë të situatës dhe nuk shohin shumë larg. Si pasojë, administrata do t‘u ofrojë kompanive të mësipërme një kohë të kufizuar dhe të përcaktuar për të riformuluar planet e tyre para se të përfitojnë nga paketa e dytë stimuluese. Sipas Obamës, paratë do të jepen vetëm në rast se do të justifikohen kërkesat. Ai tha se do të bashkëpunonte me Kongresin për një program inkurajimi ndaj përdoruesve të makinave, për zëvendësimin e automjeteve të vjetra dhe të përdorura, me të reja që janë më të lira për sa i përket harxhimit të karburantit dhe më ekologjike. Skema të tilla janë përqafuar deri më tani me sukses nga Gjermania. "GM"-së i është kërkuar që të paraqesë një plan të ri, më të ristrukturuar, në mënyrë që të kualifikohet për përfitimin e fondeve të tjera. Deri tani, këto industri kanë lajmëruar për shkurtime drastike të vendeve të punës dhe madje edhe mbylljen e një sërë fabrikash dhe uzinash edhe në vende të ndryshme të botës. Ndërkohë, këto industri kanë bërë edhe një spastrim të drejtuesve dhe menaxherëve kryesorë më të rinj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›