Medvedev, pro "supermonedhës"
Presidenti rus, Medvedev, ka përsëritur dy ditë më parë interesin e Rusisë në krijimin e një monedhe të re globale rezervë, gjatë një interviste me BBC-në. Rusia ka propozuar prej disa kohësh krijimin e një monedhe të re, që duhet të lançohet nga institucionet financiare ndërkombëtare, sipas tekstit të propozimeve që do të bëjë në takimin e G20-ës në 2 prill. Javën që shkoi, Kina shkaktoi shumë diskutime, me sugjerimin se bota duhet të kishte më shumë akses në fondet e veçanta të FMN-së, të krijuara nga Fondi në vitin 1969 si një aset rezervë ndërkombëtar. "Unë e kam diskutuar çështjen edhe me Kryeministrin britanik, Braun, dhe partnerë të tjerë. Sigurisht, jemi realistë dhe shpresoj që pozicioni im është i tillë. Gjithashtu edhe ai i kolegëve kinezë", deklaroi Medvedev gjatë intervistës me BBC-në. "Por është e qartë se sistemi aktual i monedhës nuk është më ai i duhuri për sfidat me të cilat po përballemi. Jemi me fat që kemi shumë monedha: dollarin, euron dhe paundin. Por në të ardhmen, ky sistem duhet të bazohet te krijimi i një ‘shporte‘ shumëmonedhëshe, që të përfshijë edhe monedha të tjera si rezerva". Ndërkohë, liderë të tjerë të G20-ës e kanë bërë të qartë që për momentin statusi si monedha dominuese rezervë do të qëndrojë i tillë. Nga ana e saj, sikundër Kina, edhe Rusia kërkon përfshirjen e rublës, jenit dhe arit në "shportë", por nuk shpreson që ky ndryshim do të ndodhë gjatë takimit të ardhshëm të G20-ës në Londër, më 1 prill.