E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët e Shkurtit 67 që sundojnë Shqipërinë

Tritan Shehu, ne krah te djathte te Enver Hoxhes, nismetar i letres dhe inciator per prishjen e kishes ne Tirane

Nga Spartak Ngjela*

 

*Kjo është një pjesë nga libri i avokatit dhe politikanit të njohur, Spartak Ngjela, me titull Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare: 1957-2010

Dhe ja edhe disa nga emrat e tyre të shumtë. Në Universitetin e Tiranës Xhelal Gjeçovi, Estref Bega, Mehmet Elezi, Arshin Xhezo, Gjikë Kurtiqi, Tritan Shehu…

IV

Ditën e 6 Shkurtit të vitit 1967, kur Enver Hoxha shpalosi luftën e tij për siguri absolute dhe për tu shpallur mbret, të gjithë dishepujt e tij mediokër jo vetëm që e kishin pritur këtë, por edhe e kishin dëshiruar me ankth, sepse ata e ndienin se duhej mbajtur një qëndrim. Kishte rrotull tij njerëz si Rita Marko apo Ramiz Alia, e te tjerë, të cilët donin patjetër qartësi për rrugën që do të vijonin. Në fakt, ata donin garanci që situata e karrierës politike të qëndronte e ngrirë dhe Enver Hoxha duhej të ishte absolut, i paprekshëm dhe i sigurt për të ardhmen. Por, kishte edhe një rrymë tjetër, e cila gjithashtu pyeste: a do të intelektualizohej Partia e Punës?

Kishte muaj që vetë gazeta Zëri i Popullit dhe Hoxha nëpër biseda private, flisnin vetëm për suksesin e madh të Revolucionit Kulturor kinez, si zgjidhje për moslejimin e revizionizmit hrushovian në Kinë, dhe brenda kësaj, ata flisnin edhe për shpikjen e Enver Hoxhës, se degjenerimi i partisë sovjetike kishte ardhur nga burokratizmi, i cili duhej luftuar. Gjithçka duhej bërë që të mos vinte fryma e Hrushovit në Shqipëri dhe në shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha mendoi që këtë moslejim ta siguronte me anë të një revolucioni që do të shkallmonte burokracinë në Shqipëri. Nga këto kuptohej qartë se Enver Hoxha nuk mund ta lejonte intelektualizimin e Partisë së tij.

Gazeta Zëri i Popullit, në datën 7 shkurt  e botoi me pompozitet të madh fjalimin e 6 Shkurtit, me titullin: Enver Hoxha Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë trajton temën:  Revolucionarizimi i mëtejshëm i Partisë dhe i pushtetit. Në fakt, që këtu shihet se ai ka dashur të kalojë në një nivel të ri komunikimi, kur, vetë fjalimin kishte dashur me qëllim ta quante Temë.

Fjalimi i 6 Shkurtit ishte ultra mediokër, por edhe shumë i lig. Kapitulli më i hidhur ishte ai i quajturi: Prapë mbi burokratizmin. Nga i gjithë teksti, por edhe nga e gjithë veprimtaria e tij kundër burokratizmit kuptohet se Hoxha nuk ia ka ditur fare kuptimin kësaj fjale dhe, gjatë gjithë jetës së tij, e përdori me vend e pavend konceptin e burokratizmit, asnjëherë të lidhur si karakter me raportin e administrimit dhe të përfaqësimit apo të kontrollit nëpërmjet votës. Jam i bindur se as semantikisht nuk ia dinte kuptimin kësaj fjale, të cilën si koncept antistalinian Trocki e ka përdorur kundër Stalinit dhe gjendjes në Bashkimin Sovjetik gjatë gjithë jetës së tij. Por Hoxha, në të gjithë veprimtarinë e vet intelektuale, kuptohej qartë që nuk kishte një formim akademik konceptual në përgjithësi, prandaj shumë koncepte të sociologjisë marksiste i përdorte krejt në një formë mistike dhe vetëm si fjalë, gjithmonë kur e shihte se kulti i tij kishte capak bjerrje. Vepronte kështu kur i duhej të ndizte populizmin në favor të vetes dhe ngaherë operonte në një sens të hapur terrorist me konceptin e luftës së klasave. Por ajo që spikat në këtë fjalim-temë është fakti që ai dëshiron të nisë implementimin e një kulture të re, jashtë intelektualizmit, larg dijes së vërtetë dhe e gjitha e mbështetur në konsolidimin e pushtetit të tij, i cili, nga fjalimi-temë kuptohet se duhet të jetë afatgjatë dhe i paprekshëm në sundimin tërësor të një vendi.

Fjalimi në 6 shkurti të vitit 1967 do të mbetet në historinë politike të Shqipërisë si dështimi i plotë i thelbit të fshehur të qëndrimit barbar të Enver Hoxhës kundër kulturës dhe zhvillimit europian të personalitetit të individit, domethënë lirisë. Në këtë datë, i ndihmuar nga udha e Revolucionit Kulturor maoist, Enver Hoxha nisi hapur rrugën për triumfin total të vullnetit të tij të fshehur. Ai ka shkruar me frazën e një njeriu të paditur që kërkon të operojë me formë të një sociologjizmi doktrinar, por që, të gjitha çështjet që cek në të konvergojnë në një pikë, tek vendosja e absolutizmit të tij. I gjithë fjalimi ishte një ngatërresë e madhe, pa pikë lidhjeje, por sa para bënte, askush nuk kishte të drejtë ta kundërshtonte apo ti bënte kriticizëm. Asnjë gjë konceptuale nuk kishte në të, ndonëse ai ishte paraqitur dhe u përdor vijimisht si preludi i një epoke të re të socializmit në Shqipëri.

Nga formulimi i atij fjalimi bindesh pa mëdyshje që Enver Hoxha, kurrë nuk ka qenë një intelektual dhe për këtë shkak kishte një urrejtje të hapur kundër intelektualizmit në përgjithësi. Prandaj, në këtë fazë, ai po kalonte haptas në përdorimin e metodave tiranike të pushtetit që shoqëroheshin me një agresivitet të madh anti-intelektual. Gjuha dhe fraza e tekstit të fjalimit-temë ishte e përpunuar, sepse kishte stafin që ia bënte, por të gjitha idetë që paraqiste ishin konfuze në sensin konceptual dhe të drejtpërdrejta në sensin e pushtetit. Fjalimet apo shkrimet e tij, duke qenë se do të dilnin përfundimisht nga dora e tij ishin pa gjykime logjike, prandaj qëndronin më tepër si pamflete kundër, sesa si kritika apo si shpalosje e ideve të reja. Enver Hoxha kurrë nuk paraqiti ide dhe prandaj edhe ata që shkruanin dhe përpunonin agresivitetin e tij verbal, kurrë nuk u rrekën të fusnin aty gjykime, sepse ai e kishte pasur tmerr mënyrën akademike të të shprehurit të ideve.

Kushdo që e lexon atë shkrim të gjatë të tij e shikon se ai është plot mllef, antipersonalitet dhe i mbushur me urrejtje kundrejt intelektualizmit. Ai e shpreh hapur këtu se pushteti i tij nuk mund ta pranojë njeriun e ditur; ai duhet luftuar sepse është individ i predispozuar të jetë kundër revolucionit socialist. Ky është thelbi i fjalimit dhe pjesa më e errët e tij ishte: mendimin e atyre që kanë njëfarë diturie, por të cilën e shfrytëzojnë për të imponuar mbi masat UNIN, duhet ta luftojmë si një mendim borgjez e reaksionar.  Më tepër me tërbonte stilema që kanë njëfarë diturie. Ai kishte urrejtje për dijen, por tani kishte ardhur koha që, me anë të halldupëve që kishte përreth e që sapo kishin dalë edhe nga Kongresi i Pestë i Partisë së tij, të fshinte gjithçka që mund të përbënte mendim intelektual. Vëtë fjalën UNIN, e ka shkruar më germa kapitale dhe atëherë unë me miqtë e mi ndenjëm me orë të tëra për ta konsideruar më kujdes këtë stilemë të fjalimit, sepse pikërisht këtu, ai nis të abuzojë më termin masë, si kundërvënie ndaj intelektualëve.  Ai i drejtohet injorancës, i bindur se ajo do ti vijë në ndihmë për të rrafshuar gjithçka që mund të quhej kulturë e zhvilluar shqiptare. Brenda kësaj, befas u pa se në kritikën e tij për rrafshim kulturor të shoqërisë, ai futi edhe fene. Nuk e kishte pa qëllim këtë.  Ai e dinte mirë se e gjithë kultura europiane kishte një sens të theksuar kristian, prandaj, duke anatemuar fenë si opium për popujt, mendonte të ishte më i lirë për tiu kundërvënë kulturës perëndimore, e cila në dhjetë vjetët e fundit kishte pasur një shpërthim të madh në Shqipëri.

Të gjitha, këto në fakt flasin për një epërsi të dukshme të Enver Hoxhës si politikan. Që në moshën 36 vjeçare, ai ishte përplasur më anglezët jo të paktë në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, dhe kishte fituar; madje i kishte bindur ata se vetëm ai dhe ushtria e tij luftonte me gjermanët, ashtu sikundër i kishte bindur që e gjithë vëmendja e Hoxhës

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›