E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët të ndarë në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit

Në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit forcat politike shqiptare janë ndarë jo vetëm midis kampeve, por edhe brenda tyre. Grupi më i madh i majtë, i udhëhequr nga Partia Socialiste, hodhi lule në vendin ku një vit më parë nisi tragjedia, ndërsa një marshim i heshtur nisi nga Gërdeci në drejtim të Tiranës. Një flamur gjigand me simbolin elektoral të socialistëve "Ndryshim" kaloi nëpër duart e pjesmarrësve të cilët ecën në autostradën Durres-Tiranë për të përfunduar në Sheshin "Skënderbej", dhe më pas para selisë së qeverisë ku ajo u cilësua përgjegjëse për këtë ngjarje. Nga ana e saj, LSI dhe aleatët e saj u mblodhën në një miting përballë selisë së qeverisë, ku parrullat më të dukshme ishin ato kundër kryeministrit Berisha, të cilit iu kërkua të largohej nga posti. "Ky njeri kontrabandë në krye të qeverisë duhet të largohet", tha një nga folësit në miting. Demokratët dhe aleatët e tyre, në këtë përvjetor të parë të tragjedisë, akuzojnë opozitën së po spekulon me tragjedinë e Gërdecit për qëllime politike. "Nuk mund të shfrytëzohet fatkeqësia për fushatë elektorale", ka thënë në prag të përkujtimit të kësaj ngjarjeje kryeministri Berisha. Një vit pas kësaj tragjedie prokuroria ka përfunduar hetimet dhe në gjykatë tashmë ndodhet dosja ku 28 persona, ndër ta edhe ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, konsiderohen përgjegjës për ngjarjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›