E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët trazojnë 28 Nëntorin, Vlora thërret 'Rroftë Rama', Meta 'divorcohet' nga Berisha

UPDATE - Sot më 28 Nëntor, në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk kanë munguar tensionet politike, divergjencat dhe ovacionet. Në Vlorë në qytetin ku Ismail Qemali ngriti Flamurin, 97 vjet më parë, deuptetët e PD-së kanë sulmuar Edi Ramën, që sipas tyre shkeli protokollin e shtetit duke vendosur kurora me lule në varrin e Islmail Qemalit. Deputeti i PD-së, Kollozi, u shpreh se "Rama dha sot një shfaqje të shëmtuar". Shkak u bënë brohoritjet e qytetarëve mbledhur në sheshin e Flamurit që thirrën "Rrofte Edi Rama", kur ky i fundit bashkë me Kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika bënë nderime para obeliskut në Vlorë, por edhe fakti se Gjika kishte zgjedhur pikerisht liderin e PS-se për të bërë homazhe në varrin e I.Qemalit.

Ndërkohë dy liderët kryesorë të politikes, Edi Rama dhe Sali Berisha kanë vazhduar me deklaratat dhe thirrjet e tyre, përkatesisht për hapjen e kutive dhe për murin e Berlinit, edhe pse shqiptarët, në një ditë pushimi si kjo e sotmja, kremtonin festën e Flamurit.

Po keshtu, prezenca e Ilir Metës sot në Vlorë, në ditën e Pavarësisë nuk ka kaluar pa rënë në sy, për faktin se ai nuk u ngjit në varrezat e Dëshmorëve për të nderuar të rënët në Luftën e Dytë Botërore, duke u shkëputur kështu nga PD-ja bashkeqeverisese që sot feston edhe Ditën e Çlirimit të Shqipërisë. Ilir Meta ka deklaruar se "kujtimin e të rënëve do ta nderojë nesër, më 29 nëntor, në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

Ndërkohë që krerët e shtetit shqiptar, Presidenti Topi, Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamnetarja Topalli ishin sot për të nderuar në monumenti Nënë Shqipëri ku vendosen edhe kurora me lule dhe bënë vizita në familjet e dëshmorëve të atdheut.

Rama

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përcolli nga Vlora urimin për festën kombëtare të Shpalljes së Pavarësise. "Gëzuar 28 Nëntorin, festën e lavdishme të Flamurit dhe përvjetorin e paharrueshëm të Pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve si dhe gurin e themelit të shtetit shqiptar", u shpreh ai. Pasi ka vënë kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit dhe ka qendruar për disa minuta në sheshin e Flamurit, Edi Rama ka dhënë një konferencë për shtyp në një nga hotelet e qytetit, duke u shprehur se kjo festë e gjen vendin tonë në krizë politike dhe ekonomike. "E vërteta është se 28 Nëntori i këtij viti na gjen në një moment jashtëzakonisht delikat për demokracinë. Na gjen në kohë dramatike për shtetin e së drejtës, na gjen në një periudhë kur ekonomia shqiptare kërcënohet nga falimentimi. Na gjen në një moment ku opozita është jashtë parlamentit dhe parlamenti jashtë binarëve të kushtetutës dhe ligjit pasi u shkelën të drejtat dhe liritë e votës së lirë", tha Rama duke shtuar urimin që "28 Nëntori i ardhshëm ti gjejë edhe më mirë të gjithë shqiptarët". Ai apeloi dhe njëherë se hapja e kutive është e domosdoshme dhe se Berisha mban peng të vertetën. "Berisha ka vendosur të ngrejë një mal me baltë për të fshehur përmasat e krimit që mban peng kutitë e 28 Qershorit", u shpreh Rama. I pyetur për qendrimin e Metës për këto dy festa, Rama tha mos prisni që ndryshimi të vij nga Ilir Meta. Sipas tij, LSI feston nesër ditën e Çlirimit për interesa partiake dhe jo kombëtare.

Ndërkohë gazetarët kanë pyetur edhe Kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika i cili në nderimet për këtë ditë të shënuar ishte përkrah Edi Ramës. Gjika u shpreh se "jam menduar gjatë se me cilin nga përfaqësuesit e shtetit të nderoj këtë ditë, por duke menduar se ata nuk e dinë ku është varri i Ismail Qemalit, e pata të vështirë të zgjedh".

Meta

Zevendeskryeministri Ilir Meta, njëkohesisht kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ndodhej sot ne Vlore per te kremtuar festen e Pavarësisë. "Eshtë një ditë, e cila na ben te ndihemi krenarë për sakrificat e jashtëzakonshme për të krijuar shtetin shqiptar", u shpreh Meta. Ai theksoi se 28 Nëntori e gjen Shqipërinë më me shumë arritje se nje vit me pare, pasi sot jemi anetare te NATO-s dhe po behen te gjitha pergatitjet per te hyre ne Bashkimin Evropian. Meta ishte i shoqëruar gjatë gjithë kohës nga deputetë të djathtë te qarkut Vlore dhe drejutes lokal të PD dhe LSI-se në Vlorë. Pas ceremonisë së rastit ai ka shëtitur në Bulevard, duke përshëndetur edhe qytetarët që kishin dalë për të festuar. Ndërkohë iu përgjigj edhe interesit të medias me mjaft kujdes për 29 Nëntorin duke thënë se "sot unë respektoj sakrificën shqiptare për pavarësi dhe nesër do të nderoj veteranët që sollën çlirimin e vendit".

Topi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ishte bashkë me Berishën dhe Topallin kur vendosi një kurorë me lule në monumentin "Nënë Shqipëri". Ai u shpreh se "në këtë ditë të veçantë, në ditën e themelimit të shtetit shqiptar është një kënaqësi e veçantë t'u uroj të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë: gëzuar këtë ditë të madhe! Dhe sot kemi rastin që të rikthejmë në memorien tonë më shumë se kurrë veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve, patriotëve, të cilët bënë të mundur që të luftohej pa e ndërprerë asnjë moment aktivitetin e tyre, për mbijetesën e shtetit shqiptar, për identitetin e tij dhe kuptohet pas kaq vitesh, ne kemi një Shqipëri jo vetëm me një identitet të qartë, por një vend anëtar të NATO-s dhe së shpejti një vend të Bashkimit Evropian. Besoj që kjo është një ditë, e cila na lejon që t'i rikthehemi së kaluarës, por më shumë t'i kthehemi së ardhmes sonë". Në vijim të veprimtarive përkujtimore, Kreu i shtetit shqiptar bëri sot vizita në familjet e dëshmorëve Margarita e Kristaq Tutulani dhe Myslym Keta.

Berisha

Kryeministri Sali Berisha, tha sot gjatë ceremonisë tek Varrezat e Dëshmorëve tha se "Sot është dita e nderimit të madh dhe përuljes me nderimin më të madh ndaj qindra e mijëra luftëtarëve shqiptarë, në veçanti, të kryengritjeve gjigande të Kosovës, të cilat tronditën përfundimisht të sëmurin e Bosforit dhe bënë të mundur pavarësisë e Shqipërisë". Gjithashtu, ai nuk la pa përmendur edhe 8 dhjetorin, diten e antimitingut, duke u shprehur se "8 dhjetori ishte dita tjetër e madhe e lirisë, e cila bëri të mundur që ne të rifitojmë lirinë, dinjitetin, dita që shembi Murin e Berlinit në Tiranë, dita që hapi dyert e një marshimi fitimtar të shqiptarëve drejt NATO-s, drejt BE-së, drejt një të ardhmeje të shkëlqyer".

Topalli

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjithashtu bëri sot homazhe dhe vendosi kurora me lule në varrezat e Dëshmorëve. Më tej u takua me me familjarë dhe të afërm të të rënëve për pavarësi, duke shprehur bashkë me ta kënaqësinë se ky 28 nëntor e gjen Shqipërinë në një vit historik; anëtarësimi në NATO dhe pranimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›