Politikë me Rrugën e Shqiptarëve
Pagëzimi i rrugës - Askush nuk e ka pagëzuar udhën, me emrin “Autostrada Durrës - Kukës - Morinë”, sepse ky është një përcaktim gjeografik, për të thënë se, ajo prek Detin Adriatik, duke të çuar në Port apo duke të marrë nga Porti; Kukësi ndërkallet, pashmangshëm, sepse ky qytet, pjesë e emrit kompozitë, shpreh peshën që merr, mes largësisë Durrës - Prishtinë; Morina është emër vendi i një fshati të vogël për këtë emër të madh, i sapo dalë nga harrimi i gjatë, për t’u bërë cak i dallueshëm shënjues, në kufirin shqiptar - shqiptar.
Politika ka sajuar disa metafora për autostradën si, “Aorta e Kombit”, “Rruga e Shekullit”, “Rruga e Bashkimit të Shqiptarëve”, “Rruga e Korrupsionit”, “Rruga historike”. Kjo vepër e pazakontë për Shqipërinë, është përfshirë rreptë nga llava e saj dhe, duhet nënvizuar që, ndërsa shpërfaqej droja se kjo stërkëmbësh do të pengonte, për çudi nxiti shpejtësinë e ndërtimit të saj. Partia Demokratike e pati shqiptuar gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005 që, nëse vinte në pushtet, do ta ndërtonte rrugën, sado e vështirë që të ishte dhe me çdo çmim. Qeveria e kryeministrit Berisha, përveç që e trajtoi ndërtimin e saj me domosdoshmërinë e zhvillimit, ajo i dha rëndësi nisjes menjëherë të punimeve, edhe me përcaktim politik, kur pa që kundërshtarët e saj ndërmorën politikë kundërshtuese. Por, pati ngarkesa të përftuara edhe krejt pa qëllim, sepse një ndërmarrje kaq e vështirë, kurrsesi nuk mund të kryhej me herët, gjatë mandatit, ndërsa përfundimin e rrugës, në kulmin e fushatës zgjedhore, qeveria nuk e ka menduar politikisht, por ndjehet e shpërblyer që vrapon për ta përuruar në qershor, në pikë të garës politike, duke shqiptuar hapur: shqiptarët nuk do të votojnë fjalët, por veprat!
Thuajse pa pushuar asnjë ditë, në pamundësi për ta ndaluar e zhbërë hapjen e autostradës, socialistët kanë akuzuar për korrupsion dhe abuzime të hatashme me rrugën. Sulmi vijon i trefishtë: nga foltorja e Kuvendit, nga faqe-ekranet e mediave dhe mosvajtja as edhe njëherë të vetme e kryetarit të PS atje. Përcaktimi i kësaj sjelljeje politik mjaft të ndërlikuar, nuk është i pamenduar. Edi Rama, që i ka ardhur rrotull Shqipërisë, deri dhe te një fshat i humbur ndër male, po të shkonte, ta zëmë, te hyrja e tunelit të famshëm, e të thoshte: “Këtu është goja e korrupsionit”, do të qe si zëri në shpellë që, e zbraz për diku, por kthehet në veshët e tu; të shkonte e të heshtonte, memecëria do të lexohej mburrje pa fjalë për rrugën; bojkotimi politik i vizitës u gjet më i drejtë, sipas mendimit: Akuzo - Mosshko!
Në një nga ditët më të ftohta të dimrit të sivjetshëm, vonë e befas, udhëtoi për atje, kryetari i LSI, Ilir Meta. Ai e ngriti në qiell autostradën dhe punimet, madje e quajti rruga e bashkimit të shqiptarëve. Vajtja e kësaj së majte politike, përballë mosvjajtjes të së majtës tjetër politike, u shtjellua si thellim pada i përçarjes mes tyre. Ramën dhe Metën nuk i bashkon as rruga e përbashkët e shqiptarëve. Akuza të ndërsjella, hidhen si gjyle nga foltoret: sot njëra, nesër tjetra, ashtu e përditë, që kapi cak të veçantë, më 3 mars.
Gjatë paraqitjes së dy kandidatëve për deputetë në Shkodër, aty ku LSI-së iu largua një figurë e rëndësishme, Ilir Meta lëshoi një kritikë shokuese kundër: “Më ka bërë përshtypje diçka që, një televizion, për fat të keq, dikur shumë i dashur, nuk e dha kronikën e vizitës në rrugën Durrës - Kukës, të katër ministrave të Kosovës… Sepse, dikujt kjo rrugë i vret syrin dhe shpirtin. Ky është Edi Rama… i cili e urren rrugën më të rëndësishme që do të lidhë shqiptarët…”.
Kjo autostradë do të përfundojë në një kohë politike përvëluese, por politika e dendur me të, si, vendosmëria e qeverisësve, kritika e socialistëve, mburrja e lësëistëve, çuditërisht qenë ndikuese në përshpejtimin e ndërtimit të saj, sepse: Qeveria u bë edhe më këmbëngulëse në përmbushjen e premtimit përballë përbaltësve. Socialistët, me akuzat e pambarim, ndikuan në përkujdesjen edhe më shumë të qeverisë në përdorimin e financave. Lësëistët, edhe pse të vonuar, rrugën e shqiptarëve e mburrën, që për qeverinë tingëlloi mbështetje, për kritikuesit qe kritikë dërrmuese tek e cilësoi kundërshtarin si të vetëngarkuar me urrejtje për rrugën.
E gjithë kjo politikë vlen për deri më 28 qershor. Pasi të pritet shiriti i përurimit dhe të përcaktohet fituesi i zgjedhjeve, politika me këtë autostradë mbaron. Ose, më saktë, boritë politike me rrugën Durrës - Kukës - Morinë nuk do të dëgjohen më, përballë borive të makinave, që do të ecin me shpejtësi, mes dy shteteve shqiptare.