E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medalja me dy anë të ndryshkura

Klepsidra e re - Bashkëveprimi i dy brezave të mërgimtarëve tanë, ata që erdhën në fund të vjetëve `60 dhe të dytët e fillimit të vjetëve `80, e fuqizoi në shumë aspekte mërgatën tonë. Mirëpo, për fat të keq, pikërisht në atë kohë ndodhi katastrofa e çarjes! Ajo hije e ndoqi dhe vazhdon ta ndjekë ende tërë botën shqiptare, sidomos pjesën e saj jashta vendit, por jo më pak edhe atë brenda. Pra, zuri fill ndasia e hidhur politike e mbështetur në ideologji të shpifura, të cilat në të vërtetë diku thellë i bashkonte e njëjta emblemë! Një pjesë jo e vogël e njerëzve tanë zunë t`i vinin etiketa të hekurta njëri tjetrit: titoistë e enveristë... Ishte një damkosje e nisur si lojë, por që pati pasoja tepër të rënda në gjithë lëvizjen tonë kombëtare drejt bashkimit, lirisë dhe përparimit. Kjo farë loje e pështirë në të vërtetë po çelte frontin e një lufte të vështirë. Këtë vegjë e kishte kapur edhe armiku ynë shekullor, që mbeti gjithnjë shovenizmi i tërbuar serb, për të tërhequr këtë balast andej ku ishin të gjitha humnerat ndanë udhës sonë të synuar për sendërtimin e aspiratave kombëtare.
Kjo ndasi e pengoi shumë masën e madhe të mërgatës sonë në ecje më të shpejtë e më të lehtë për të përmbushur idealin që synonte, por nuk mundi ta ndalte asnjëherë atë. Kjo e çarë, vepër e zezë e një grushti njerëzish të djallëzuar, dëmin e bëri të madh, por megjithatë nuk mundi ta nënshtronte masën kryesore të mërgatës shqiptare. Pjesa dërrmuese e kësaj mërgate me mençuri iu shmang konfrontimit të „palëve në konflikt“, prandaj ngadhënjeu mbi to pa mbetur në udhëkryq të mbyllur...
Etiketa ishte e rëndë si çdo etiketë që vihet me djallëzi. Gjithnjë mendoj se shkaku themelor i tërë kësaj të keqeje rridhte nga vuajtja e tmerrshme prej ndjenjës kriminale të inferioritetit që kishte qitur përdhe grupe e grupthe të ndryshme njerëzish. Midis tyre shumëfish më i madh ishte numri i atdhetarëve të kulluar, të cilët ishin të gatshëm të bënin gjithçka për të mirën e vendit dhe kombit të vet, por që me kryeneçësi trashamane ishin barrikaduar në një radhë të caktuar brenda muresh të panevojshme.
Pas dështimit të të ashtuquajturës shkollë shqipe të diasporës, kjo ishte humbja e dytë e madhe e mërgatës shqiptare. Njëra dhe tjetra pasojat do t`i lënë tepër gjatë mbi kurrizin e kësaj pjese të kombit tonë, të cilat, të modifikuara ndër parti të ndryshme politike që u formuan më vonë edhe në diasporë(!), do të përvijohen deri sot.
Nuk ka dyshim që mbështjellja e veprimit atdhetar me rrobën e cilësdo markë: qoftë ajo enveriste apo poende edhe titoiste, nuk ishte kurrgjë më pak se një vetëmashtrim për të fshehur injorancën, prapa së cilës shtrihej shkretëtira e mjerimit kombëtar.
Pyetjes se a ishin qartësisht të profilizuara këto të ashtuquajtura rryma, të cilat thelbësisht kishin përftuar njëra tjetrën, në këtë rast nuk është e lehtë t`i japësh një përgjigje të prerë. Megjithatë dihet shumë qartë që ndër shqiptarët nuk kishte pasur kurrë një lëvizje të ashtuquajtur titoiste, nëse nuk llogaritet aty turma e atyre që i shërbenin atij regjimi në mënyrën më poshtëruese. Ndërkaq, në anën tjetër, te rryma e të ashtuquajturës enveriste, puna qëndron pak më ndryshe: ndoshta thelbin e saj e përbënin edhe atdhetarë të njëmendtë, por nuk ka asnjë dyshim që asnjëri prej tyre nuk kishte kurrfarë vizioni për proceset që e pritnin lëvizjen e përgjithshme kombëtare shqiptare drejt bashkimit, lirisë dhe përparimit. Nëse ndokush donte ta arrinte këtë synim duke qëndruar nën aureolën enveriste, ai me hir ose me pahir shkelte me të dyja këmbët në fushë të minuar tradhtie. Këtu mbaron vetëmashtrimi dhe nis mashtrimi pa fund.
Rrekja e mërgatës shqiptare në një kohë të gjatë me këtë ndeshje të padenjë, natyrisht që e dobësoi së tepërmi atë. Kjo ndeshje u përvijua pastaj ndër procese të mëvonshme, sa sot mund të themi pa hezitim se të gjitha të këqijave në jetën tonë kombëtare burimin duhet kërkuar pikërisht te kjo ndeshje e shpifur. Me një fjalë, të dy anët e medajes sonë ishin të ndryshkura, kurse shkëlqimi ishte mbrujtur brenda, kishte mbetur në thelbin e saj.
Marrë nga “Bota sot”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›