Një manifestim i shkëlqyer miqësie, dashurie e respekti të ndërsjelltë
Bashkësia shqiptare e Sint-Niklaasit është një ndër më të organizuarat në Mbretërinë e Belgjikës. Në vazhdën e festimeve të përvjetorit të parë të Pavarësisë së Kosovës dhe për nder të 7 Marsit, Dita e Mësuesit, e të 8 Marsit, Dita Ndërkombëtare e Grave, bashkatdhetarët e atjeshëm, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e pushtetit vendor, organizuan një tubim festiv argëtues. Ishin të ftuar emigrantë shqiptarë nga qytete të ndryshme të Belgjikës, përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë e të Kosovës, si edhe përfaqësues të bashkësive turke, marokene etj., me banim në Sint-Niklaas.
Fjalën e hapjes e mbajti nismëtari i kësaj veprimtarie të bukur, Dr. Agim Syla, Kryetar i Shoqatës “Ardhmëria” – Sint-Niklaas dhe Kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashri”, për Belgjikën. Dr. Syla ia dha fjalën avokatit flaman Jan Van Pethegen, doktor i shkencave sociale, i cili bëri një ekspoze të përgjithshme për Kosovën, historikun e saj dhe për burimet pasurore të shtetit më të ri të Ballkanit. Në emër të administratës vendore, përshëndeti zonja Kristel Gerts, ish-senatore, Kryetare e komanduar nga ana e Kryetarit aktual të Bashkisë, Fredi Willoks, i cili, për arsye personale, do ta lërë mandatin përpara zgjedhjeve të 2010-s. Përshëndetën, gjithashtu edhe zoti Gani Azemi, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Vendet e Beneluksit, zoti Naim Mandri, Konsull i Republikës së Shqipërisë në Belgjikë, dhe zoti Rakip Zekolli, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit në Kosovë.
* * *
Në programin e mbrëmjes festive, ishin parashikuar dy fotoekspozita të Asllan Krasniqit, të cilin, pa drojë, do ta quaja “ambasadori” i fotografisë shqiptare në Belgjikë e më tej. Fotoekspozitat ngërthenin dy tematika të ndryshme: “Trojet shqiptare pakufi”, e para, dhe “Eksodi gjatë Luftës së fundit në Kosovë”, e dyta. Ndryshe nga paraqitja rutinë e fotove me korniza të varura në mur, çka nuk do t’i shkonte mjedisit festiv të mbrëmjes, Asllani parapëlqeu projektimin e tyre të vargëzuara njërën pas tjetrës dhe të shoqëruara në surdinë me muzikë tradicionale ose simfonike, sipas rastit. Për afro njëzet minuta parakaluan në sytë e të pranishmëve pamje shqiptare nga më mahnitëset, duke filluar që nga viset veriore të Kosovës, duke kaluar në Ulqin, Shkup e Gostivar dhe duke mbaruar në plazhet e mrekullueshme të bregdetit Adriatik e Jon. Objektivi i aparatit të Asllanit nuk ishte përqendruar vetëm në mrekullitë e Grykës së Rugovës a të Valbonës, jo vetëm në bjeshkët e Alpeve apo në Ujëvarat e Mirushes, në liqenin e Komanit a të Vaut të Dejës, por edhe te ndërtesa e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, te “kalaja e Jasharajve” në Prekaz, në Pazarin e Gjakovës, në Pazarin e Krujës, në qëndismat e në punët e dorës të artizanëve shqiptarë, te xhamia e Prishtinës, te Katedralja e Shkodrës, te xhamia dhe kulla e sahatit të Tiranës etj, etj. Mbresa të pashlyeshme lanë në kujtesën e të pranishmëve pamjet e eksodit kosovar, jo se ato nuk njiheshin e nuk ishin dëgjuar, por sepse niveli artistik i fotove të Asllan Krasniqit për evenimentin historik në fjalë është, do të thosha, i pakrahasueshëm. Fotografia e tij flet shqip, flet thjesht dhe është lehtësisht e kuptueshme në të gjitha gjuhët e botës. Ja sepse të huajt e pranishëm në mbrëmje nuk patën nevojë për përkthyes.
* * *
Pjesën tjetër të mbrëmjes e zunë kënga dhe vallja, ushqimet e përgatitura nga amvisat shqiptare me banim në Sint-Niklaas, urimet për festën dhe dollitë. Ndërsa në skenën e improvizuar gjëmoi muzika “rap”, të rinj e të reja, burra e gra, madje edhe të moshuar, u ngritë në këmbë, duke ndjekur ritmin e muzikës, secili sipas mënyrës së vet, me lëvizje të shpenguara, por të hijshme. “Rock albanais”, do t’i thoshte me shaka Gani Azemi mikeshës flamane, e cila kishte ardhur te tryeza jonë për t’u përshëndetur me miqtë e ftuar nga Brukseli. Pas “rokut shqiptar”, në skenë e mori mikrofonin këngëtari Mehdi Berisha me këngët popullore kosovare. Tashmë, kishte ardhur radha e valles sonë të vërtetë, aq shumë të pëlqyer edhe nga miqtë flamanë të bashkësisë shqiptare në Sint-Niklas. Në vargun e gjatë të valles që gjarpëroi për orë të tëra rreth e qark sallës, do të lidheshin edhe vendas apo përfaqësues të bashkësive të ndryshme që jetojnë në Sint-Niklaas. Do të lidhej zoti Van Ejnde, këshilltar i Kryetarit të Komunës, do të lidhej avokati Jan Van Pethegen, doktor i shkencave sociale, do të lidhej Drejtori i Kulturës, Dan Antheneus, miku, mbështetësi dhe ndërmjetësi i palodhur mes shoqatës “Ardhmëria” dhe pushtetit vendor.
Kënga, vallja dhe hareja do të derdheshin lumë deri në orët e para të mëngjesit. Ishte një manifestim i shkëlqyer miqësie, dashurie e respekti të ndërsjelltë.
* * *
Sint-Niklaas, një nga qytetet më të rëndësishme të Flandrës Orientale, me afro 70.000 banorë, është qendër e komunës me të njëjtin emër. I njohur për industrinë dhe tregtimin e veshjeve, Sint-Niklaasi përmendet për më të madhin Shesh Qytetas (Grand Place) në të gjithë vendin (3,19 ha), për Kishën e vjetër të stilit gotik, për Ndërtesën e Bashkisë (Hôtel de Ville) të stilit neogotik, për Muzeun me një koleksion të pasur të gjeografit, hartografit e matematikanit të njohur të shekullit XVI, Merkator (Gerardius Mercator 1512-1594) etj. Është i përmendur, gjithashtu, për organizimin e një parade kuajsh dhe të një panairi lulesh, në muajin gusht, si edhe i një konkursi ndërkombëtar balonash (montgolfiere), në shtator.
Por, mbi të gjitha, unë do të thosha se Sint-Niklasi është qyteti i mikpritjes së të huajve. Këtë e dëshmuan ngjarjet e dhimbshme të luftës së fundit në Kosovë, kur qyteti u bë strehë e ngrohtë e emigrantëve kosovarë që morën arratinë për t’i shpëtuar barbarisë serbe. Këtë e ka dëshmuar dhe po e dëshmon dita-ditës qëndrimi humanitar ndaj të huajve, trajtimi i tyre dhe përkujdesjet e vazhdueshme të administratës lokale për t’i sistemuar të huajt në punë e në banesa të përshtatshme. Këtë e dëshmoi pjesëmarrja në manifestim e zonjës Kristel Gerts, ish-senatore, sot Kryetare e Bashkisë, si edhe fjala e ngrohtë dhe befasuese e Dr. Jan Van Pethegen, interesimi dhe njohuritë e tij të thella lidhur me çështjen kosovare dhe atë shqiptare, në përgjithësi.
Nuk është e rastit që Kryetari aktual i Bashkisë, i nderuari Fredi Willoks, shoqëroi Mbretin e Belgëve, Albert II, në Kosovë fill pas Luftës, në vitin 2000. Nuk është aspak e rastit që ky zotëri me reputacion të njohur në Flandrë e në Valoni, më 17 shkurt të 2008-s, e vuri në dispozicion të shqiptarëve Sheshin e Qytetit (Grad Place), siç thamë, më të madhin shesh qytetas të Belgjikës. Nuk është e rastit që Dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u shndërrua në një ditë feste për gjithë banorët e Sint-Niklaasit.
* * *
Dr. Agim Syla, i angazhuar familjarisht për organizimin dhe mbarëvajtjen e evenimentit festiv, gjatë gjithë mbrëmjes, u përkujdes që festa të mos dilte nga korniza e zakoneve shqiptare të mikpritjes, të rridhte e gëzueshme, e qetë dhe me kulturë. Dr. Agimi me të shoqen, Hyrien, i vëllai, Naseri, me të shoqen, Xheneten, dy djemtë e doktorit, Fatosi dhe Fisniku, si edhe dy a tre djem të tjerë, brodhën nga tryeza në tryezë, që miqtë, bashkatdhetarë e të huaj, ta ndienin veten si në shtëpi të tyre. Sint-Niklaasi është vend i bekuar, më tha zonja Xhenete Ishte fjala për një takim befasues që pata me një bashkatdhetare nga Devolli, origjina e familjes sime. Prej dymbëdhjetë vitesh që banoj në Belgjikë, kam marrë pjesë në aq e aq tubime bashkatdhetarësh, për gaz e për mort, thuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit, kam takuar shqiptarë thuajse nga të gjitha trojet tona etnike, por asnjë devolli apo devollite. Gëzimi, s’do mend, ishte i madh. I palodhuri Asllan Krasniqi, që, me aparat në qafë, i ndoqi një për të pranishmit, më tha ta pyesja zonjën Luljetë se nga ishte. As e njihja, as më njihte. “Pe Devolli, m’u përgjigj ajo. Qenkemi nga një vend, ia ktheva, po pe ç’fshati, me? Pe Stropani? Po ti? Pe Babani?...” Kishte ardhur nga Brukseli, ku banon familjarisht, bashkë me të birin, Elvianin, dhe me të bijën, Kristelën, që këndoi me grupin e Kadri Mehmetit, shkupjan, dhe të dy vëllezërve gjilanas Fatos e Fisnik Syla. M’u duk emocionues, ndaj e përmenda këtë episod të vogël të asaj mbrëmjeje të paharrueshme. Një i ri shqiptar me prejardhje nga Maqedonia, dy të rinj nga Kosova dhe një e re nga Shqipëria (Kristela e ka babanë dibran dhe nënën devollite), emigrantë në Belgjikë, i dhanë zjarr sallës me “rap”-in e tyre që, për nga thurrja poetike, u ngjante rapsodive tona.
* *
Të nesërmen, festa u shpërngul në Bruksel, ku Shkolla Shqiptare e Mësimit Plotësues e drejtuar nga zoti Ahmet Gjana përkujtoi Ditën e Mësuesit. Vogëlushët e vogëlushet recituan poezi të poetëve tanë të vjetër e të rinj, kënduan e hodhën valle shqiptare nën drejtimin e mësueseve aq shumë të përkushtuar Alisa, Aishe e Silvana, apo të mësuesve Ibrahim e Sali.
Më 11 të muajit në vazhdim, në Namyr, do të organizohet një takim me poetin kosovar, Ali Podrimja.