E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Demokratët në Poliçan janë shumicë elektorale

POLICAN- Kryesuesi i listës së PD-së në qarkun e Beratit, Genc Pollo, prezantoi në bashkinë e Poliçanit kandidatin e Partisë Demokratike për qarkun e Beratit, Çaush Qato, në një takim me mbështetës dhe simpatizantë të PD-së në këtë bashki.

Gjatë fjalës së tij, ministri Pollo tha se ne vijmë sot këtu përpara jush vijmë me një bilanc pozitiv për vitet që kanë kaluar dhe me premtime konkrete, të mundshme dhe të realizueshme për 4-vjeçarin e ardhshëm qeverisës.Po ashtu, Pollo ka folur edhe për rritjen e rrogave dhe pensioneve, ku vendi ynë, në dallim nga të gjithë vendet e rajonit, kishte një rritje të plotë dhe të qëndrueshme. Pollo, gjithashtu, ka premtuar se kjo rritje do të vijojë edhe në mandatin e ardhshëm.

“Kujtoni që kemi folur për pagat e mësuesve, janë dyfishuar në vlerë të plotë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër të Evropës Lindore apo Perëndimore. Gjithashtu, janë rritur aq sa nuk ishte menduar as në 2005 as në 2009, rrogat e personelit shëndetësor, duke filluar nga sanitarja dhe infermierja e deri tek mjeku profesor. Këto janë arritje që u premtuan, këto janë arritje që u realizuan dhe kjo është qeveria e fjalës së mbajtur, kjo është qeveri që do të vazhdojë rritjen edhe 4 vitet e ardhshme.”

Më tej Pollo ka akuzuar kryesocialistin Rama, i cili vetëm pak javë më parë në një takim të tijin elektoral në Berat, i quajti demokratët e këtij qarku pushtues. Demokratët dhe demokratet në Poliçan janë zemra e qytetit, tha ai. Demokratët dhe demokratet në Berat, në Skrapar dhe në qytet janë po ashtu shumicë, janë shumicë elektorale, janë shumicë në frymë, janë shumicë në bindje, janë shumicë në opinion, theksoi Pollo.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Pollo: Demokratët në Poliçan janë shumicë elektorale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›