Pollo: Ishin 8 vjet të arta. Përpara me kokën lart

Pas Mesila Dodës, Jozefina Topallit, Arben Imamit dhe Majlinda Bregut, edhe Genc Pollo ka thyer heshtjen duke folur për humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit. Nëpërmjet faqes së tij në Facebook, Pollo shprehet se për rezultatin do ketë mundësi për të folur, duke e cilësuar periudhën 8-vjeçare të qeverisjes Berisha, si të artë. “Zgjedhjet përfunduan, rezultati doli dhe për të do të flasim. Por tani është momenti për të falënderuar me zemër në dorë votuesit, demokratet, strukturat e Partisë Demokratike te Beratit e Shqipërisë për votën e për përkushtimin e tyre gjate fushatës. Ka qenë një kohe e mrekullueshme komunikimi e përpjekje. Siç kanë qenë këto 8 vjet te qeverise se PD me kryeministrin Berisha një periudhë e artë për zhvillimin, begatimin e evropianizimin e vendit. Është koha për të shikuar së bashku përpara e me kokën lart”- shkruan Pollo.