E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijnë ndihma nga e gjithë bota në para, ushqime e trupa

Tërmeti
Haiti, tragjedia merr 500 mijë persona dhe përfshin 3 milionë të tjerë

Dita e djeshme ka shënuar një tjetër ditë tragjike për të mbijetuarit e tërmetit të Haitit, i cili sipas disa të dhënave mund të ketë marrë jetën e mbi 500 mijë personave. Ndërkaq, kanë mbërritur ndihmat e para në ushqime, strehëza dhe skuadra shpëtimi që pritet të përmirësojnë deri diku gjendjen tragjike të një kombi të shkatërruar fizikisht dhe shpirtërisht. Njoftimin për numrin e  viktimave, që në fat është shumë e vështirë të verifikohen plotësisht brenda një kohe të shkurtër, e ka dhënë Kryqi i Kuq Haitian, ndërkohë që mbi 3 milionë të tjerë kanë mbetur të traumatizuar, të plagosur e të pastrehë.
Tërmeti i të martës ishte 7 ballësh dhe u shoqërua nga katër goditje të forta që rrafshuan kryeqytetin e vendit. Ndërkaq, shumë njerëz mendohet të jenë ende nën rrënoja dhe zbulimi e shpëtimi i tyre është objektivi kryesor i skuadrave të shpëtimit që kanë ardhur nga Shtetet e  Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës. Avionë të ndryshëm kanë nisur shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe mjekësore, por nga ana logjistike është shumë vështirë që të bëhet shpërndarja e këtyre ndihmave në një terren krejtësisht të dëmtuar. Ata haitianë që kanë mbetur gjallë lëvizin nëpër gërmadha të paralizuar nga dhimbja e humbjeve, në kërkim të ndonjë cope bukë, të ujit, apo të ndonjë strehe.
Tani në këtë vend paraja nuk bën dobi. Malli më i çmuar është uji i pijshëm që gjendet me shumë vështirësi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar menjëherë në këtë vend 3500 ushtarë dhe 300 veta si personel mjekësor për të ndihmuar ata që mund të jenë nën rrënoja. Edhe Pentagoni ka dërguar një avion dhe tri anije amfibe  në të cilën ndodhen edhe 2000 marinsa. “Popullit të Haitit u themi me bindje që nuk do të harrohet. Në këtë orën tuaj të hallit Amerika është pranë jush. Bota është pranë jush”, ka deklaruar dje Presidenti amerikan, Obama. Shtetet e Bashkuara janë zotuar që t’i ofrojnë Haitit një ndihmë afatgjatë.
Shumë ndërtesa qeveritare si pallati presidencial, parlamenti e të tjera janë shembur plotësisht dhe ende nuk dihet se sa deputetë kanë mbijetuar. Edhe burgu kryesor i vendit është shkatërruar duke u dhënë mundësi kriminelëve të rrezikshëm që të dalin prej tij. “Autoritetet që kanë ekzistuar para dëmtimit janë të paafta që të kryejnë funksionet e tyre. Ne do t’i mbështesim ato dhe do të rivendosim autoritetin në vend”, ka deklaruar sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton. Megjithatë, nuk ka pasur një organizim të mirëfilltë të skuadrave të shpëtimit për të ndihmuar ata që mund të kenë mbetur nën gërmadha në vendin më të varfër të Hemisferës Perëndimore.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›