E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë skulptorit të heronjve

Pas një sëmundje të  gjatë, artisti u nda nga jeta në moshën 82–vjeçare. Me daltën e tij gdhendi “Nënën Shqipëri”, “Monumentin e Pavarësisë”, “Pesë Heronjtë e Vigut”, “Isa Boletinin” dhe realizoi bustin e shembur të Enver Hoxhës. Homazhet, sot në orën 11.00 në Galerinë e Arteve
Shaban Hadëri

Shaban Hadëri është një  tjetër emër i njohur që i humbet skulpturës shqiptare. I ndarë  dje nga jeta në moshën 82-vjeçare, Hadëri i përket brezit të artistëve që shënuan emrat e tyre në vepra monumentale të vendit. Prej vitesh skulptori vuajti paralizën në krahun e djathtë, gjë që e detyroi të tërhiqej nga realizimi i veprave të mëdha. Homazhet për nder të tij do të organizohen sot në orën 11.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve, për t’u përcjellë më pas në banesën e fundit. Miq e kolegë të tij, ata me të cilët shkëmbente biseda edhe gjatë lëngimit të gjatë, ishin dje të pranishëm në shtëpinë e tij. I shihje të ngjisnin shkallët e pallatit ku banonte, në godinat e vjetra pas kafe “Europës”. Përfund tyre dallohej lajmërimi për humbjen e tij. Shaban Hadëri mund të tingëllojë një emër i panjohur për brezin e ri.
Tërheqja e tij disavjeçare nga jeta publike e justifikon edhe më shumë një fakt të tillë. Megjithatë, në gjallje, por edhe tani që do të mungojë fizikisht, Hadëri do të identifikohet si artist me veprat e mëdha monumentale ku punoi si bashkautor apo edhe personalisht. Së bashku me Kristaq Ramën dhe Muntaz Dhramin realizoi “Monumentin e Pavarësisë” apo “Nënën Shqipëri”. I lindur në fshatin Palavli të Delvinës, ku kreu edhe shkollën fillore, Shaban Hadëri ishte nga ata që përjetoi nga afër luftën. Zhvendoset më vonë në Tiranë te disa të afërm ku kryen shkollën 7-vjeçare.
Në këto vite fillon të spikasë talenti i tij, por pavarësisht kësaj ai vazhdon më tej shkollën teknike. Ishte këmbëngulja e mësuesit të tij Nexhmedin Zani që Shabani të hyjë në Liceun Artistik, ku punoi me profesorë të njohur, mes të cilëve edhe Odhise Paskali. Studion për skulpturë në Petërburg të Rusisë nga 1952-1958. Shkolla ruse ishte ajo që ndikoi dhe e orientoi drejt një skulpture heroike, një prirje e dukshme në veprat që realizoi më pas.
“Të gjithë shokët e mi të kursit ideonin skulptura heronjsh. Tema e luftës ishte tema e ditës. Rusia kishte një shkollë shumë profesionale për përgatitjen e piktorëve dhe skulptorëve”, do të shprehej më vonë Hadëri për shkollën ku u formua. Pas kthimit në Shqipëri, më 1958-n, emërohet pedagog në Liceun Artistik, ndërsa dy vjet më vonë, pas hapjes së Akademisë së Arteve, u caktua pedagog për degën e skulpturës. Përveç veprave monumentale në të cilat ishte bashkautor, Shaban Hadëri realizoi mjaft të tjera të njohura.
Të tilla janë: “Isa Boletini” në Shkodër, “Pesë Heronjtë e Vigut”, por edhe busti i Enver Hoxhës që qëndroi në qendër deri në prag të ndërrimit të regjimit. Ishte pikërisht gjatë realizimit të këtij busti në bronz kur Hadëri u sëmur, gjë që do t’i kushtonte shkëputjen nga skulptura. Si artist i takoi të përjetonte edhe shembjen e veprave të tij. Vite punë dhe lodhje për të ngritur monumente të hedhura në tokë. Së pari pa bustin e Enver Hoxhës të shkatërrohej nga vala e zemërimit. Por jashtë ndodhive politike, për të ajo ishte një vepër arti.
Ai e dinte se edhe në vende të tjera ish-komuniste veprat e artit kushtuar diktatorëve u ruajtën në vende të mbyllura, por pa u prishur. Vetëm dy vjet më parë, ai kujtonte momentin kur shihte bustin të rrëzohej: “E pashë gjithë skenën. Të gjitha momentet edhe sot i kaloj si nëpër film para syve. Se si më dukej. Unë jam artist, jam skulptor. Nuk më intereson fare politika. Politika më e mirë për mua është arti. është të bëj skulptura të bukura.
Tjetër arti, tjetër politika. Me këtë nuk dua të them se kam nostalgji për sisteme apo individë”. I rënduar nga sëmundja dhe i kushtuar ndaj pikturës, vitet e fundit daljet publike të Hadërit thuajse ishin shmangur plotësisht. U desh një vendim nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, që skulptura e realizuar prej tij “Pesë Heronjtë e Vigut” të vihej në qendër të vëmendjes. Monumenti duhej të zhvendosej për t’i lënë vendin një shatërvani.
Atëherë, në përjetimin e dytë të shkatërrimit të veprave të tij, skulptori bëri thirrje për ruajtjen e kësaj vepre arti. “Mos e hiqni atë skulpturë. Ajo nuk më përket mua. Ajo i përket qytetit me kulturë të Shkodrës. Ajo skulpturë është pjesë e historisë së saj. Pjesë e arkitekturës së saj”, tha asokohe artisti. Në përfundim “Heronjtë” u vendosën pranë një fushe plehrash. Kolegu dhe miku i tij, skulptori Muntaz Dhrami, tregon se Hadëri e përjetoi shumë këtë moment. I mposhtur nga sëmundja e gjatë, u mposht edhe moralisht.
Në një kohë kur pamundësitë fizike e kushtëzonin të shihte me nostalgji monumentet e realizuara dikur, po i takonte të shihte edhe rrëzimin e tyre. Miqtë tregojnë se deri në fund nuk e la aktivitetin. Iu kushtua pikturës dhe larmisë së ngjyrave si një mënyrë shprehje. Ndodhi kjo deri në këtë ditë dimri kur e la edhe penelin. Sot do ta përcjellin të prehet, ndërsa emri i tij do të qëndrojë gdhendur në monumentet e mëdha.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›