E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: PS-ja të mos njollosë procesin e pajisjes me karta identiteti

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka deklaruar dje në seancë plenare se procesi i pajisjes me karta identiteti është duke ecur normalisht dhe brenda parashikimeve. Duke iu përgjigjur akuzave të djeshme të Partisë Socialiste, Nishani ka nënvizuar se procesi i pajisjes me karta nuk është një proces i menjëhershëm por i njëpasnjëshëm, ndërkohë që thekson se ka nisur në qytetet kryesore të vendit. 

Sipas tij prioritet u është dhënë personave që nuk kanë pasaporta, duke bërë të ditur se janë siguruar të gjitha kapacitetet e nevojshme që të pajiset me kartë çdo qytetar pa pasaportë. 

“Qeveria ka vendosur standarde reale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke siguruar se në zgjedhjet e 28 qershorit, asnjë person nuk do të ketë emrin në listat e zgjedhësve më tepër se një herë”, u shpreh Nishani. 

Këto deklarata kanë ngjallur reagimin e menjëhershëm të nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. Sipas tij asnjë qytetar nuk ka marrë deri tani kartën e identitetit në dorë. “Listat e zgjedhësve janë më mangësi serioze ne Berat dhe Kuçovë. Janë 10 mijë shtetas që janë pa pasaporta dhe që nuk gjejnë emrat në lista dhe kjo është e qëllimshme sepse i pengon ata nga e drejta e votimit. Kjo është një skemë manipulimi zgjedhjesh organizuar nga Ferdinand Poni”, deklaroi Braçe. Deklarata të tilla janë hedhur poshtë nga zëvendëskryeministri Genc Pollo. 

“Procesi është brenda kohës dhe pavarësisht nga volumi i madh i punës, kompania ka një kalendar procedimi dhe qytetet kryesore janë të pajisura me mjetet e duhura. Brenda muajit shkurt do të ketë stacione aplikimi në qytetet e vogla dhe të gjithë komunat e vendit. Dhe në qoftë se ka probleme atëherë çdo zyrë e gjendjes civile mund të lidhet me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Por do ishte një përfaqësim i keq nëse këto shifra fryhen qëllimisht. Këto janë vetëm 720 mijë persona. Unë nuk jam i sigurt që këto shifra janë të vërteta. Do i bëja thirrje përfaqësuesve më të përgjegjshëm të PS-së që të mos hedhin baltë dhe mos njollosur një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin”, deklaroi Pollo. 

Më parë, deputetja socialiste Arta Dade kishte kërkuar përshpejtimin e procesit për pajisjen e shqiptarëve më kartat e reja të identitetit. Në këtë drejtim ajo kërkoi nga Ministria e Brendshme që të hapë urgjentisht zyrat përkatëse për aplikimin në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, të krijojë kushtet për njoftimin dhe lehtësimin e procedurave për shtetasit që nuk janë të pajisur me pasaportë, duke përcaktuar afate kohore konkrete, të përmbushë detyrimin e saj ligjor për të bërë transparencën maksimale të procesit të aplikimit si dhe të lejojë ngritjen e komisionit Parlamentar Ad-hoc për monitorimin e ecurisë së procesit zgjedhor, kërkuar nga selia rozë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›