E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijimtaria muzikore e Bartold në sezonin “Klasik”

Krijimtaria e kompozitorit të muzikës klasike, Feliks Mendelson Bartold do të shfaqet për artdashësin të mërkurën, në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si homazh, pasi 2009 është shpallur në muzikë "viti i Feliks Mendelson Bartold". E gjithë krijimtaria vjen përmes një koncerti të realizuar me muzikë dhome në kuadër të sezonit muzikor "Klasik" ,me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit. Nën interpetimin e artistëve të njohur të skenave europiane si, violinisti Andreas Reiner,  pianisti Desar Sulejmani dhe në violonçel, Pjetër Guralumi, gjatë koncertit do të luhen për të pranishmit sonata për violinë dhe piano. Në aktivitetete kulturore të këtij lloji, “Klasik” ka sjellë në skenat shqiptare emra të talentuar artistësh, të cilët janë pëlqyer dhe duartrokitur nga publiku. Sezoni i koncerteve “Klasik” është  vazhdim i sezonit “Allegreto Albania” dhe vjen në Shqipëri nën menaxhimin e Institutit Italian të Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe disa ambasadave të huaja në Shqipëri. Kompozitori gjerman Feliks Mendelson Bartold, i konsideruar si "Moxarti i shekullit XIX",  lindi në Hamburg më 3 shkurt 1809. I frymëzuar në atë kohë prej letërsisë, pikturës, muzikës dhe filozofisë, ai u vu në kërkim të gjetjes së rrugëdaljes nga dilema e artit të romantizmit. Bartold e zgjeroi aktivitetin në shumë qytete kryesore të Evropës, si Londër e Paris, por dhe në një sërë qytetesh të mëdha në Gjermani: në Berlin, Lajpcig, Frankfurt. Në 1843 në Lajpcig ishte një nga bashkëthemeluesit e Konservatorit të parë të muzikës në Gjermani, dhe për kontriubutin e tij, në të njëjtin vit u vlerësua si "qytetar nderi" i Lajpcigut. Një vit më pas, në  1844, Bartold drejtoi gjashtë koncerte simfonike në Londër dhe ekzekutoi premierën e veprës së tij "Ëndrra e një nate vere". Krijimtaria muzikore e Feliks Mendelson Bartold përfshin të gjitha zhanret e muzikës fetare si dhe asaj instrumentale, popullore të kohës. Ai ka kompozuar simfoni, pjesë për piano, këngë, muzikë korale, kantata. Feliks Mendelson Bartold ndërroi jetë në Lajpcig më 4 nëntor 1847.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›