Fullani: Banka e Shqipërisë drejt rritjes së vazhdueshme të transparencës

Konsolidimi i Vrojtimeve të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, të cilat u vendosën në baza studimore gjatë zbatimit të projektit afatgjatë të Bankës së Shqipërisë, u paraqitën sot në një konferenë për shtyp nga Guvernatori Adrian Fullani. "Publikimi i treguesve të besimit të biznesit dhe të konsumatorit përbën një moment të rëndësishëm në drejtim të rritjes së transparencës së Bankës së Shqipërisë", cilësoi Fullani. Sipas tij, rezultatet e përftuara nga përpunimi i përgjigjeve të bizneseve dhe konsumatorëve janë plotësisht të pavarura dhe të pandikuara nga Banka e Shqipërisë, nga konjuktura ekonomike, financiare dhe politike brenda, apo jashtë vendit. Ai theksoi se "finalizimi i projektit disa-vjeçar të Bankës së Shqipërisë, përgjatë të cilit u konsoliduan Treguesit e Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, përbën realizimin e njërës prej pikave të strategjisë së zhvillimit afatmesëm të institucionit". Duke folur për disa koncepte bazë mbi treguesit e besimit, të tendencës dhe ata paraprirës, ai vuri në dukje se "ato kanë gjetur një përdorim të gjerë në shumë vende të botës së zhvilluar, sidomos gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit". Këta tregues ndërtohen në bazë të informacionit që merret nga proceset e vrojtimeve, që në terminologjinë teknike njihen si Vrojtimet e Tendencës/Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit. Banka e Shqipërisë i realizon këto vrojtime në bashkëpunim me INSTAT.
"Banka e Shqipërisë ka punuar për disa vite në ndërtimin e këtyre treguesve, duke u mbështetur në rezultatet e vrojtimeve në shkallë të gjerë pranë rreth 720 bizneseve dhe 1200 konsumatorëve", theksoi Guvernatori Fullani. Ai vlerësoi dhe bashkëpunimin me liderë botërorë në këtë fushë, që sipas tij, ka qenë mëse eficient. "Ekspertë të Institutit gjerman të Studimeve Ekonomike Ifo, kanë mbështetur procesin metodologjik dhe të analizës ekonomike mbi bazën e treguesve të besimit të biznesit. Në këtë punë disavjeçare, ekspertë të Bankës së Shqipërisë kanë studiuar dhe aplikuar aspekte të rëndësishme të metodologjive bashkëkohore të ndjekura nga vende të OECD dhe nga ato të zbatuara nga Komisioni Evropian", tha Guvernatori i BSH, Adrian Fullani. Më tej ai theksoi se "prej mëse katër vitesh, rezultatet e sjella nga këta tregues, janë marrë gjithnjë e më shumë në konsideratë nga vendimmarrja në Bankën e Shqipërisë. Me anë të tyre është mundësuar ndërtimi i treguesit të rëndësishëm të pritjeve të inflacionit. Me anë të tyre merret informacion paraprak në lidhje me ecurinë e pritshme të çmimeve të prodhimit, një hallkë e rëndësishme e procesit çmimformues në ekonomi".
...