Shqipëria dhe Arabia Saudite angazhohen për të forcuar marrëdhëniet ekonomike

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, përfundoi vizitën dyditore në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Kjo vizitë bëhej me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtëm të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Princit Saud Al Faisal Bin Abdulaziz Al-Saud. Forcimi i marrëdhënieve në të gjitha fushat dhe çështja e Kosovës ishin në qendër të diskutimeve gjatë kësaj vizite të ministrit Basha që shoqërohej nga zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu si dhe nga përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe të biznesit shqiptar, mori konfirmimin se Mbretëria e Arabisë Saudite mbështet plotësisht Kosovën dhe pavarësinë e saj.
Burime zyrtare të ministrisë së Jashtme bënë të ditur se gjatë takimit me Mbretin Abdullah bin Abdulaziz Al-Saud, ministri Basha mori konfirmimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjatë takimit Basha i dorëzoi Mbretit të Arabisë Saudite një mesazh nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Në takimin që pati me homologun e tij, Princin Saud Al Faisal Bin Abdulaziz Al-Saud, u theksua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si dhe u shpreh dëshira që këto marrëdhënie të ngrihen në nivelet më larta. Vend të veçantë, gjatë takimit, zuri angazhimi i palëve për të zgjeruar dhe forcuar marrëdhëniet ekonomike. Në këtë kuadër dy homologët u angazhuan për nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve si dhe për të krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme për rritjen e kontakteve të ndërsjella dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes biznesit shqiptar dhe atij saudit.
Ministri Basha e informoi homologun saudit mbi zhvillimet rajonale, duke u ndalur në një analizë të hollësishme të zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe në Ballkan, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar. Ministri Basha vlerësoi si shumë të rëndësishëm rolin e Arabisë Saudite në raport me vendet arabe si dhe OKI-n.
Bashkëbiseduesit shprehen gjithashtu vullnetin për të forcuar bashkëpunimin politik dypalësh si dhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare. Në përfundim të takimit ministri Basha e ftoi homologun e tij saudit për një vizitë në Shqipëri. Kosova ishte dhe në fokus të takimit që ministri Basha pati në Organizatën e Konferencës Islamike, ku u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate Ekmeledin Ihsanoglu. Në takim u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me qëllim nxitjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga anëtarët e OKI-t. Po kështu, gjatë takimit u diskutua mbi Ministerialin e ardhshëm të OKI-t si dhe për çështje të tjera të bashkëpunimit në gjirin e kësaj organizate.
...