E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Paratë e donatorëve, me skemë të re

Intervista Ministri i Teknologjisë flet për kontrollin ndaj fondeve

Projektet e donatorëve do të jenë të listuara në mënyrë që të kuptohet qartë se ku dhe sa po investohet. Ministri i Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, tregon për “Shqip” ecurinë e projekteve të financuara nga donatorët, duke marrë shkas nga mbledhja e fundit. Pollo pranon disa nga problemet e sistemit, por nga ana tjetër, garanton se tashmë çdo qindarkë e donatorëve nuk do të shkojë dëm.

Në tryezën e kaluar qeveri-donatorë, që ju e drejtuat bashkë me ambasadorin e OSBE-së, ky i fundit foli për nevojën e një klime politike, që të nxisë investimet e huaja. Komenti juaj?

Padyshim që një klimë politike dhe një klimë e përgjithshme, që nxit investimet e huaja është e nevojshme për Shqipërinë, për Malin e Zi, Hungarinë, madje edhe për SHBA-në, por në fjali të tilla, janë një refren herë aktual dhe herë më pak aktual. Në atë tryezë u thanë gjëra që janë edhe pozitive edhe më të rëndësishme. Sinqerisht mendoj se këto të fundit meritojnë fokusimin e publikut dhe vëmendjen e gazetarëve profesionistë.

çfarë anësh pozitive kishte për palën shqiptare?

Kam qenë në tryeza të tilla që nga viti 2006 e këtej dhe ajo që mund të them është se ka një avancim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të aftësisë së qeverisë shqiptare, për të udhëhequr në koordinimin e donatorëve, duke u dhënë atyre gjithë informacionet e duhura, duke iu paraqitur strategjitë tashmë të miratuar, duke u bërë ndarjen e punës në përputhje me prioritetet tona dhe të tyre. Kështu, çdo euro apo dollar i shpenzuar të përdoret me efikasitetin më të madh.

Mbledhja me donatorët u zhvillua e hapur për mediat dhe publikun vetëm në pjesën e parë. Lidhur me diskutimet që janë bërë, pak është mësuar. Mund të na thoni se për çfarë u fol, problemet, etj.?

Tryezat e hershme kanë qenë plot me debat, nganjëherë me çështje politike, apo të politizuara, nganjëherë me tension. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme e bërë nga e gjithë qeveria dhe sidomos nga Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj (DEBASKON-i), (i drejtuar nga Albana Vokshi deri në vitin 2009 dhe nga shtatori i vitit të kaluar e këtej nga Valbona Kuko) punë permanente, kontakt i vazhdueshëm me donatorët dhe rritje institucionale, ngritje e aftësive, që e ka ndryshuar krejt situatën. Pa mëdyshje, kjo përpjekje, e ka bërë Shqipërinë vendin me sofistikimin më të lartë për koordinimin e donatorëve. Dhe këtë nuk e them unë, sepse nuk më është dhënë mundësia të bëj një analizë krahasuese me vendet e tjera të rajonit. Por ma thonë zyrtarë të lartë të KE-së dhe donatorë të tjerë, të cilët në tryezën e javës së kaluar, në mënyrë të përsëritur, e lavdëruan këtë punë e arritje në një mënyrë me të cilën nuk na është mësuar dhe aq shumë veshi. Një provë e kësaj shkalle sofistikimi është edhe Ndarja e Punës (Fast Track of Division of Labor) që nënshkruam javën e kaluar me donatorët europianë, një marrëveshje që tregon tashmë se gjithkush e di “vendin” e vet, gjithkush ndihmën e vet e jep në përputhje me strategjitë e qeverisë, gjithkush premton e duhet të lëvrojë për ato që premton, si dhe duhet të raportojë për atë që bën. Pra kemi një sistem mirëfilli të organizuar, i cili deri në vitin 2005 thjesht nuk ka ekzistuar. Dhe mosekzistenca e një sistemi të tillë, që quhet në një gjuhë teknike Sistemi i Planifikimit të Integruar, (Integrated Planned System) sjell amulli te donatorët, që nuk dinin seç bënte tjetri, nuk dinin seç bënte qeveria, që shpesh gjendeshin se kishin shpenzuar paralelisht para dhe para jo të vogla për të bërë të njëjtën gjë. Kjo thjesht sepse qeveria nuk ishte udhëheqëse dhe nuk i kontaktonte për të bërë mbledhjen e informacionit, krahasimin e punës së gjithsecilit, në krahasim me strategjitë dhe projektet në vend, në mënyrë që gjithë resurset e gjithsecilit të optimizoheshin. Dhe kjo është një punë shumë e rëndësishme, por jo me zhurmë të madhe, si ato që mbulojnë lajmet e para, të dyta e të treta në emisionet televizive. Por është një punë shumë e rëndësishme, sepse zhvillimin e vendit e fut në një hulli të sigurt dhe ato ndihma që ne marrim nga donatorët, gjithashtu i përdor me eficiencën më të lartë.

Diçka më konkrete, ka?

Po ka. Patjetër që ka. Në këtë tryezë u bë prezantimi i një vlerësimi të jashtëm të një kompanie konsulence amerikane, të kontraktuar nga PNUD-i, për sistemin e prokurimeve shqiptare. Po të ishit në sallë, do të shikonit që vlerësimi, sidomos krahasues, me ku ishim para 2-3 vitesh me sistemin e prokurimeve në Shqipëri, ishte absolutisht me fjalët më të mira, me apelativët më pozitivë, vërtet tregues i një zhvillimi të rëndësishëm, që e theksoj, nuk kapet nga mbulimi sensacional i medias, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo qindarkë që derdhin taksapaguesit shqiptarë.

A ka vonesa në disbursimin e fondeve të donatoreve?

Po, ka pasur edhe raste të tilla, por nuk kanë qenë tipike.

Si mund të zgjidhet problemi i vonesave, të cilat kanë sjellë zvarritje të projekteve?

Ne po përfundojmë ndërtimin e një sistemi të integruar që përfshin atë të thesarit dhe atë të ndihmës së huaj (eamis–External Assistance Management Information System) dhe kjo do të rrisë parashikueshmërinë, transparencën e eficiencën.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›