Një konferencë shkencore për Matin
Studiues të historisë, kulturës dhe trashëgimisë do të bashkohen nesër në Akademinë e Shkencave për një konferencë shkencore kushtuar krahinës së Matit. “Mati - Gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare”, organizuar nga Instituti i Historisë dhe shoqata kulturore-atdhetare “Mati”, sipas organizatorëve vetëm sa ngre siparin e kërkimit shkencor në këtë trevë të mbushur me ngjarje, figura të shquara të historisë, si dhe me vlera të shumëfishta shpirtërore dhe materiale. Secili prej studiuesve ka zgjedhur një temë të caktuar për të referuar, nisur nga figura historike, trashëgimia kulturore apo edhe resurset ekonomike.
Beqir Meta, drejtori i Institutit të Historisë do të flasë për temën: “Kontributi i Ahmet Zogut në forcimin e institucioneve kombëtare në Shqipëri”, Adi Baleta për përfaqësimin e Matit në kombformim dhe shteformim, Afërdita Onuzi për veshjet popullore të krahinës, Gjerka Karaiskaj për dy kala që ndodhen në këtë zonë, Luljeta Minixhozi për rrugën e Arbërit dhe resurset ekonomike e kulturore të saj, Valter Memishaj për dukuritë gjuhësore të këngës lirike matjane, Valter Shtylla për gjurmë nga lashtësia dhe mesjeta në monumentet e kulturës në Gurin e Bardhë, Behar Gjoka për Matin si vatër e gjuhës dhe letërsisë shqipe etj.
#