E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stoku i borxhit mund të rritet më tej

Problemi

Ministria e Financave deklaroi dje se nuk ka ndër mend të reduktojë planin e deficitit buxhetor në raport të drejtë me ecurinë e ekonomisë për vitin 2010, gjë që mund të sjellë rritje të mëtejshme të stokut të borxhit publik si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në rast se kjo ndodh, atëherë në fund të vitit, stoku i borxhit mund të rritet në 62-64 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga diçka më pak se 60 për qind që qe në fillim të vitit.

“Huamarrja e vitit 2010 vijon të kryhet në përputhje me ligjin e buxhetit për këtë vit. Sipas këtij ligji, deficiti vjetor prej 49,7 miliardë lekësh do të financohej nëpërmjet huamarrjes së brendshme prej 39,6 mld lekë dhe financimit të huaj nga kreditë e zhvillimit prej 10.1 mld. Deri më tani, huamarrja e brendshme ka arritur në 14,5 mld lekë apo 36% e totalit të saj për gjithë vitin”, deklaroi dje drejtori i menaxhimit të borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj. Shuma prej 50 miliardë lekësh është e barabartë me afërsisht 3.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në një vit normal, huamarrja në këto nivele mund të konsiderohej e ulët. Problemi është se viti 2010 nuk konsiderohet normal, pasi agjencitë e ndryshme të zhvillimit besojnë se ekonomia shqiptare do të rritet me 1-2 për qind në terma realë këtë vit. Qeveria ka parashikuar rritje ekonomike 6 për qind për këtë vit, gjë që nëse del e vërtetë, do të sjellë ulje të stokut të borxhit në raport me PBB-në. Por në rast se del parashikimi i FMN-së dhe Bankës Botërore, deficiti prej 3.9 për qind të PBB-së nënkupton rritje të stokut të përgjithshëm të borxhit. Banka Botërore vlerëson se vendet si Shqipëria janë të rrezikuara nga kriza kur stoku i tyre i borxhit varion nga 40 në 60 për qind të PBB-së. Shqipëria duket se po kalon në një zonë edhe më të rrezikshme.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›