Pollo: “Rikthimi i termit “gjimnaz”, korrigjon gabimet e së shkuarës”
Rikthimi i termit gjimnaz në vend të togëfjalëshit shkollë e mesme korrigjon gabimet e së shkuarës. I këtij mendimi është kreu i Arsimit Genc Pollo, i cili ka organizuar një konferëncë për shtyp dje, vetëm për këtë çështje. Pollo është shprehur se vendimi i djeshëm për të rikthyer emërtimet tradicionale është një tjetër hap për të çmontuar pasojat e komunizmit krahas përpjekjeve të gjithanshme për t’u risjellë shkollave autoritetin dhe reputacionin e gjimnazeve të dikurshme. Sipas kreut të arsimit, ndryshimi i këtij termi, është i rëndësishëm për nga simbolika. Shkollat e mesme të përgjithshme do të quhen zyrtarisht gjimnaze, pra me emrin që i thërret populli që nga vitet 1920, kur u themeluan gjimnazet e para si gjimnazi shtetëror në Tiranë (sot gjimnazi “Qemal Stafa”), gjimnazi i Shkodrës, gjimnazi i Gjirokastrës e të tjerë.
25 Korrik 2008