E Diel, 1 Nëntor 2026

QKR deklaron 110 mijë biznese të regjistruara në të gjithë vendin



Drejtori i Qendrës Kombëtare për Regjistrimin e biznesit, Tomi Kola, ka deklaruar se në të gjithë vendin numri i bizneseve të regjistruar arrin në 110 mijë. Sipas tij, në fund të 6 muajve të parë të këtij viti, mbi 13 mijë biznese të reja janë regjistruar në sportelet e Qendrës së Regjistrimit të Biznesit. Kjo qendër kombëtare ka tashmë regjistrin tregtar elektronik të të gjitha kompanive të regjistruara në Shqipëri, sipas modelit të direktivave të BE-së, ndërsa ka mbyllur proçesin e skanimit dhe indeksimit të të gjitha dosjeve të regjistrimit në gjykata të bizneseve. Tashmë, gjithë bizneset kanë një mundësi të re për të kontrolluar në mënyrë elektronike (online), dosjet e tyre, të krijuara që nga 1991, pasi Qëndra e Regjistrimit të Biznesit ka hapur këto ditë faqen e Internetit për këtë qëllim. Në të, bizneset mund të kontrollojnë në formë elektronike (online) dosjet e tyre historike, por edhe skanime të dokumenteve, vendime të gjykatës, që lidhen me aktivitetet e regjistrimit të biznesit. “QKR”-ë u shërben gjithashtu të gjithë bizneseve të tjera që kanë aktivitet prej kohësh, por që duan të kryejnë ndryshime në to, sikurse mund të jetë edhe ndryshimi i statusit aktual të biznesit. Pas përpunimit të dokumentacionit në mënyrë elektronike pas marrjes së të dhënave nga klienti pranë sporteleve të QKR-së, çertifikata e regjistrimit shoqërohet bashkë me numrin e NIPT-it. “QKR” nisi aktivitetin në 3 Shtator 2007, sipas modelit "One stop Shop", e para e këtij lloji në Shqipëri, e financuar nga programi "Sfida e Mijëvjeçarit" e qeverisë së SHBA-ve.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›