E Diel, 1 Nëntor 2026

Aeroporti “Nënë Tereza” nis fazën e dytë të zgjerimit të terminalit



Në Aeroportin "Nënë Tereza" nisin sot punimet për fazën e dytë të zgjerimit të terminalit të pasagjereve. Sipas burimeve të këtij autoriteti, gjatë fazës “B”, rreth 5000 m2 do t’i shtohen sipërfaqes së terminalit të ri të pasagjerëve në një investim prej rreth 20 milionë eurosh, duke i hapur rrugë rritjeve të parashikuara në statistikat e transportit ajror në vend, si dhe për të lehtësuar ngarkesën në infrastrukturën ekzistuese. Zgjerimi do të kryhet në anën veriore të terminalit dhe ishte parashikuar në projektin modern të arkitektit malejzian Hin Tan. Zgjerimi fizik i teminalit do të përfshijë 14 sportele “check-in”, infrastrukturë për transportimin e bagazheve, hyrje të reja, 3 sportele për kompanitë ajrore, 3 dalje në pistë si dhe disa zyra në katin e sipërm. Zgjerimi i terminalit do të shtojë një sipërfaqe prej 3,943 m², në një lartësi që varion nga 7 deri në 13.5 metra. Sipërfaqja e pajisjeve të transportit të bagazheve është 890 m², çka e çon sipërfaqjen e përgjithshme të ndërtimit në 4,833 m². Volumi i objektit është afërsisht 40,000 m³. Gjithashtu për fazën “B”, gjithë projektet do të ekzekutohen nga kontraktori shqiptar “Trema Engineering 2 SHPK” në përmbushje të standardeve ndërkombëtare (Standardet Britanike). Vlerësimi i projektit si dhe mbikëqyrja e punimeve do të kryhen nga kompania inxhinierike gjermane “Diëi Consult International”. Që nga 23 prilli 2005, të gjitha përgjegjësitë për zhvillimin, operimin dhe menaxhimin e Tirana International Airport i takojnë Tirana International Airport SHPK (TIA), një kompani shqiptare me pronësi gjermano-amerikane. Më shumë se 50 milionë euro u investuan deri në vitin 2007, ku terminali i ri i pasagjerëve filloi punën më 21 mars 2007.

Konfindustria përshëndet procesin e liberalizimit të vizave me Maqedoninë

Konfindustria, përshëndeti dje ratifikimin nga Kuvendi i Maqedonisë të marrëveshjes për liberalizmin e plotë të sistemit të vizave me vendin tonë dhe kërkoi ratifikim në mënyrë të përshpejtuar edhe nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për zbatimin në praktikë të lëvizjes së lirë të njerëzve. Sipas administratorit të Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, “përfitimi i ekonomisë shqiptare nga lehtësimi i sistemit të vizave me Mqedoninë do të thotë drejtpërdrejt nxitje e shkëmbimit tregtar me Maqedoninë, Kosovën dhe rajonin sepse ndikon në uljen e kostove tregtare përkatëse”. Buxhuku tha për mediat se, liberalizimi i vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë është mjaft i rëndësishëm “për krijimin e tregut të hapur shqiptar dhe rajonal me përfitim të jashtëzakonshëm ekonomik në radhë të parë për qytetarët shqiptarë”.

Rikthehet tatimi për pajisjet dhe materialet mjekësore

Për të gjitha pajisjet mjekësore që importohen në vendin tonë zbatohet që prej muajit shkurt të këtij viti tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH). Po kështu edhe të gjitha materialet mjekësore që futen nëpërmjet pikave të doganave shqiptare nuk janë më të përjashtuara nga tatimi mbi vlerën e shtuar. “Furnizimi i barnave dhe i ambalazheve e materialeve, që përdoren për prodhimin dhe konfeksionin e barnave, janë furnizime të përjashtuara”, sipas nenit 3 të ndryshuar të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Ndërsa për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht llojit të saj, zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së deri në 12 muaj. Por sipas kësaj skeme, TVSH-ja nuk paguhet në doganë në çastin e importit. Skema e shtyrjes së pagesës përcaktohet me udhëzim nga Këshilli i Ministrave. “Importimi përfundimtar i të gjitha mallrave prej një personi të tatueshëm, kur furnizimi i tyre, në të gjitha rrethanat brenda vendit, është i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, nuk zbatohet për furnizimin në import të periodikëve, revistave, shtypshkrimeve dhe librave të çdo lloji”, -thuhet në nenin 5 të ligjit të ndryshuar.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›