Meshkujt më të prekur nga problemet me frymëmarrjen
Jonida Tashi
Meshkujt janë ata që vuajnë më shumë nga problemet me frymëmarrjen, sëmundjet e mushkërive dhe nga shqetësimet respiratore. Por, mbrapa nuk mbeten edhe fermat, në mënyrë të veçantë ato që konsumojnë duhanin. Ndotja e ajrit që në këtë stinë është tepër e lartë për shkak të temperaturave të larta, përbën një rrezik tepër të madh për përkeqësimin e sëmundjeve të frymëmarrjes. Ajri i ndotur rrezikon më së tepërmi fëmijët. Faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve janë pastërtia e ushqimit dhe ujit, kualiteti i ajrit, mjedisi i sigurt në shkollë dhe shtëpi. Ekspozimi në fëmijëri në mjedise toksike, mund të shkaktojë jo vetëm sëmundje të menjëhershme, por njëkohësisht rrit riskun e problemeve kronike për një kohë të gjatë. Të dhënat e sektorit të statistikës dhe teknologjisë së informacionit (Ministria e Shëndetësisë) tregojnë se situata mjedisore e shëndetësore në vendin tonë është e rëndë pas studimeve që ekspertët kanë realizuar mbi ndikimin e lëndëve toksike, të ajrit, ujit, ushqimit, kushteve të punës dhe të banimit, klimën rrethuese të trupave tanë, etj. Specialistët e ISHP-së, kanë specifikuar katër sëmundje që u shkaktohen fëmijëve nga efektet negative të mjedisit të ndotur që janë: sëmundjet respiratore të fëmijëve (astma, alergjia); çrregullime të zhvillimit mendor; tumore fëminore si dhe çrregullime endokrine. Sipas specialistëve të ISHP-së, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes pasohen nga sëmundjet e moshës perinatale, sëmundje simptomatike, sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut, infeksione të sistemit nervor qendror, infektive, etj.
Shkaktarët
Në lidhje me shkaktarët e këtyre sëmundjeve mund të thuhet se rreth dy të tretat e këtyre sëmundjeve shkaktohen nga viruset. Sëmundjet respiratore virusale sulmojnë pothuajse gjatë gjithë vitit. Në stinën e verës këtë sëmundje janë problematike për shkak të ajrit të ndotur, ndërsa në dimër për shkak të ftohjeve të ndryshme. Më të shpeshtë janë viruset e gripit, herpesit, rinoviruset, adenoviruset dhe një sërë virusesh të tjera, numri i të cilëve arrin në mbi 150 lloje. Për foshnjat, fëmijët e vegjël dhe personat e moshuar ata ende bëjnë pjesë në sëmundjet e rënda me prognozë serioze. Nga bakteret më të shpeshtë janë streptokokët, stafilokokët, pneumokokët, meningokokët dhe hemofiliusi. Sëmundjet respiratore janë grupi më i shpeshtë i sëmundjeve jo vetëm ndër sëmundjet ngjitëse, por edhe në mesin e sëmundjeve në përgjithësi. Tek të rriturit, sëmundjet respiratorë marrin pjesë deri me 20 për qind nga të gjitha sëmundjet, ndërsa tek fëmijët kjo përqindje është dyfish më e lartë. Vlerësohet se çdo njeri gjatë vitit mesatarisht një deri dy herë është i sëmurë nga ndonjë sëmundje akute respiratore ngjitëse.
Përhapja
Sëmundjet respiratore ose sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes përhapen nëpërmjet ajrit, respektivisht nëpërmjet të ashtuquajturës rrugë ajrore (me pika) të përhapjes. Në ajër ndodhen mikroorganizma të ndryshme, kurse numri i tyre varet nga hapësira. Më të përqendruara janë në hapësira të mbyllura, ku ka numër më të madh të njerëzve (kafenetë, çajtoret etj.) dhe në vende të tjera si në spitale, objekte kolektive (shkollat, çerdhet) dhe në vende të tjera. Gjatë frymëmarrjes, kollës, teshtitjes dhe të folurit me zë, nga organet e frymëmarrjes së njeriut hidhen pika të imta, të padukshme me sy, që mund të shpërthejnë në formë të “aerokripërave”. Këto pikëza mund të hidhen në një distancë deri në 1,5 metra. Se sa gjatë do të ngelin në ajër varet nga madhësia e tyre, lagështia dhe temperatura e ajrit. Nëse bëhet fjalë për hedhjen e mikroorganizmave të ndjeshme, ata zhduken shpjet, por ato rezistuese mund të ngelin gjatë, madje edhe pas tharjes së pikave. Që të ndodhë infektimi nëpërmjet këtyre pikave, personi i shëndoshë duhet të jetë pranë personit të sëmurë dhe jo më larg se 1,5 metra.
Viruset
Viruset janë krijesat e gjalla shumë të vogla dhe të imta, të cilët mund të shihen vetëm me ndihmën e mikroskopit elektronik. Karakteristike për to është se mund të shumohen vetëm në kuadër të qelizave të gjalla, sepse nuk kanë sisteme të tyre të enzimave. Sipas kësaj, viruset parazitojnë në llogari të qelizave, në to shumohen dhe i shfrytëzojnë substancat e tyre ushqyese dhe enzime të tyre. Viruset karakterizohen edhe me atë që tregojnë afinitet për indet e caktuara. Kështu flasim për viruse neurotrope (afinitet ndaj nervave) viscerotrope (afinitet ndaj indeve të caktuara) dhe viruse tjera. Secili nga këto viruse mund të shkaktojë sëmundje në çdo segment të trungut të frymëmarrjes. Ata ndalen dhe shumohen në epitel, në segment të caktuar të sistemit respirator dhe shkaktojnë sëmundje.
Karakteristikat
Karakteristike për këto sëmundje është se përhapen shumë shpejt
Shpesh shfaqen në hapësira kolektive të mbyllura (shkolla, çerdhe etj), në hapësirat të mbyllura ku ka numër të madh njerëzish dhe më shumë në qytet
Më shpesh preket popullata e re, sepse një numër më i madh i tyre akoma nuk kanë krijuar imunitet ndaj tyre
Paraqitja sezonale e këtyre sëmundjeve është njëra nga karakteristikat më të rëndësishme
Mbrojtja
Mbrojtja nga sëmundjet respiratore është mjaft e vështirë dhe më së shpeshti pa sukses më të madh. Sidoqoftë, zbatimi i masave të përgjithshme mbrojtëse është mjaft i rëndësishëm. Të tilla masa janë:
Të konsumohen sasi më të mëdha të pijeve të nxehta dhe vitaminë C
Të qëndrohet larg vendeve ku ka numër më të madh të njerëzve, duke shmangur rrezikun nga infektimi
Të qëndrohet në vende me ajër të pastër dhe me shumë pemë
Të merret ushqim i pasur me vitamina dhe minerale
Të kryhet shpesh ajrosja e shtëpisë
I prekuri nga sëmundja respiratore nuk duhet të marrë asnjëherë ilaçe pa rekomandimin e mjekut
Sëmundjet respiratore virusale
Në grupin e sëmundjeve respiratore virusale hyjnë:
Gripi
Teshtitja ngjitëse
Adenovirozat
Sëmundjet paragripoze
Sëmundjet e shkaktuara nga viruset respiratore sinciale, etj.
Të rejat nga shkenca
Mbipesha te femrat shton rrezikun për kancer të pankreasit
Një studim i ri ka treguar se femrat e trasha, te të cilat pjesa më e madhe e yndyrës është e lokalizuar rreth barkut, janë të rrezikuara për 70 për qind që ta fitojnë kancerin e pankreasit. Deri më tani është menduar se faktorët kryesorë për kancerin e pankreasit janë duhani dhe pankreatiti kronik, mirëpo autorët e studimit të ri pohojnë se ekziston një lidhshmëri ndërmjet mbipeshës dhe kancerit të pankreasit te femrat. Studimi është realizuar nga instituti suedez, “Karolinska”, gjatë të cilit janë përcjellë mbi 138 000 femra pas menopauzës, për një periudhë kohore prej shtatë vitesh.
25 Korrik 2008