Punësimi sezonal, Bashkia e Tiranës punëson 50 studentë
Jonida Tashi
Rreth 50 studentë do të punësohen pranë Bashkisë së Tiranës gjatë këtij sezoni veror. Punësimi veror sezonal i studentëve në Bashki do të zgjas tre muaj. Por, një pjesë e studentëve që do të përshtaten me punën dhe do tregojnë vlera, atyre do t’iu ofrohet një vend pune në sektorin përkatës të Bashkisë. Pas një faze të rëndësishme seleksionimi, mbështetur në kriteret e pranimit, 50 studentë të Universiteteve brenda dhe jashtë vendit nisën dje, projektin e “Punësimit Veror Sezonal” pranë Bashkisë së Tiranës. Projekti i Punësimit Veror Sezonal realizohet për të gjashtin vit rradhazi në Bashkinë e Tiranës dhe synon përfshirjen e të rinjve në mënyrë të qëndrueshme në institucion. Numri i studentëve që aplikuan këtë vit për këtë projekt ishte 100, por 50 prej tyre do të kenë mundësi të njihen me administratën lokale, të vënë në praktikë dijet e marra në procesin akademik, si dhe të identifikohen si potencialë të mundshëm që pas përfundimit të studimeve të integrohen në strukturat e administratës lokale. Gjatë periudhës së punësimit tre mujor, studentët: Do të njihen me administratën lokale e me proceset vendimmarrëse; Do të përfshihen drejtpërdrejtë në punët dhe funksionet e Drejtorive të Bashkisë së Tiranës dhe në terren; Do të marrin përgjegjësi direkte mbi procedurat e punës që do realizojnë në projekte publike, projekte sociale, veprimtari kulturore; Do të vënë në praktikë dijet e marra në teori.
Certifikata
Të gjithë studentët do të vlerësohen për punën e kryer nga Mentorët e tyre në bashki me anë të Formularëve të Vlerësimit Mentorial dhe Përfundimtar. Përveç eksperiencës së ofruar nga një staf profesionistësh, në fund të punësimit studentët do të pajisen me certifikatën përkatëse. Megjithëse, studentët do të punojnë në administratë pa asnjë pagesë mujore. Kreu i Bashksië së Tiranës Edi Rama, i uroi mirëseardhjen studentëve të përzgjedhur, të cilët do të kalojnë një periudhë pune të rëndësishme në institucionin që ai drejton, duke zgjedhur ambientet e zyrës së informimit publik. Kryebashkiaku vlerësoi standardin e lartë të komunikimit që Bashkia e Tiranës tashmë e ka bërë pjesë të imazhit të saj prej shumë vitesh. “Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në zyrën e informimit publik kanë hyrë 42 mijë qytetarë dhe janë trajtuar 12 272 aplikime me shkrim. Janë një numër i konsiderueshëm dhe është shumë e rëndësishme që ky standart komunikimi të vendoset në të gjithë vendin, në zyrat e administratës publike, por edhe të shkojë duke u përsosur këtu tek ne, në Bashkinë e Tiranës”, - u shpreh Rama.
Projekti
Kryebashkiaku i Tiranës e ka vlerësuar këtë projekt si një iniciativë të rëndësishme dhe në interes të përbashkët për studentët dhe Bashkinë e Tiranës të cilën ai e konsideroi: “Një institucion që është shumë më i avanacuar sesa tërësia e institucioneve të shtetit dhe administratës publike në Shqipëri. Sipas Ramës, studentët që do të punojnë në Bashki, do të jenë një ndihmë për specialistët që presin përditë kaq shumë qytetarë, por do të jenë edhe një sy që do të vëzhgojë se çfarë gjërash duhen përmirësuar. Sipas arsimit përkatës studentët do të shpërndahen në departamentet e Bashkisë përkatësisht: Në Departamentin Ligjor, Planifikimin Strategjik, Planifikimin Urban, Shërbimet Publike, Shërbimet Sociale, etj. Në kuadër të këtij projekti, çdo vit në muajin qershor realizohet njoftimi i studentëve të Tiranës nëpërmjet shpërndarjes së kërkesave për aplikim për këtë program, në Universitete të ndryshme të Tiranës, në faqen e internetit të Bashkisë dhe në media. Në bazë të kritereve të përcaktuara, përzgjidhen studentë nga fakultete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Punësimi
Studentët do të angazhohen sipas arsimit që ndjekin, pranë drejtorive të Bashkisë. Ata gjatë angazhimit të tyre do të përcjellin ide dhe kontribute të vlefshme në drejtoritë ku do të kryejnë praktikën. Përkatësisht ata do të angazhohen në Drejtoritë e Urbanistikës, Drejtorinë e Planifikimit Strategjik, Drejtorinë Juridike, Drejtorinë e Pastrimit, Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimeve Sociale, Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik etj. Të rinjve i’u është dhënë një mundësi punësimi në administratë për t’u njohur me punën që bëhet në institucionet shtetëror. Kështu, studentët e të gjitha degëve, do të punësohen në çdo sektor sipas arsimit përkatës. Bashkia e Tiranës i’u ofron mundësinë të njihen me administratën lokale e me proceset vendimmarrëse, të vënë në praktikë dijet e marra në teori, të identifikohen si potencialë të mundshëm e pas përfundimit të studimeve të mund të integrohen në strukturat e administratës lokale.
Gjatë periudhës së punësimit tre mujor, studentët:
1. Do të njihen me administratën lokale e me proçeset vendimmarrëse
2. Do të përfshihen drejtpërdrejtë në punët dhe funksionet e Drejtorive të Bashkisë së Tiranës dhe në terren
3. Do të marrin përgjegjësi direkte mbi proçedurat e punës që do realizojnë në projekte publike, projekte sociale, veprimtari kulturore
4. Do të vënë në praktikë dijet e marra në teori
5. Të gjithë studentët do të vlerësohen për punën e kryer nga Mentorët e tyre në bashki me anë të Formularëve të Vlerësimit Mentorial dhe Përfundimtar
6. Përveç eksperiencës së ofruar nga një staf profesionistësh, në fund të punësimit studentët do të pajisen me certifikatën përkatëse
25 Korrik 2008