E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo mbledh rektorët e universiteteve

Autori i Lajmit: red.
Brenda kësaj jave, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, do të mbledhë Konferencën e Rektorëve. Përfaqësues do të jenë rektorë dhe drejtues të 12 universiteteve publike dhe 19 universiteteve private. Qëllimi i kësaj mbledhjeje të parë të Konferencës së Rektorëve do të jetë ndër të tjera edhe diskutimi për hartimin e një statuti të ri të këtij organi, në bazë të ligjit të Arsimit të Lartë, dekretuar nga Presidenti i Republikës në maj të vitit të kaluar. Sipas statutit në fuqi, i miratuar nga ish-ministri i Arsimit pesë vite më parë, Konferenca e Rektorëve përbëhet nga rektorët e universiteteve (me ligjin e ri Institucionet e Arsimit të Lartë, IAL) publike dhe private nën juridiksionin e MASH. Ky organ ka në përbërje të tij edhe një anëtar, përfaqësues i MASH, i autorizuar nga ministri. Organi kolegjial autonom i Konferencës së Rektorëve përfaqësohet nga kryetari i saj. Zgjedhja e kryetarit dhe kompetencat e Konferencës burojnë nga ligji i Arsimit të Lartë dhe caktohen nga ky statut. Asambleja e Përgjithshme ka kompetenca të tilla si, hartimi dhe propozimi për miratim statutin e Konferencës së Rektorëve, zgjedh kryetarin e radhës të Konferencës së Rektorëve, përcakton problematikën themelore vjetore të çështjeve që do të marrë në shqyrtim, diskuton dhe formulon mendime e qëndrime për problemet themelore të ecurisë së Arsimit të Lartë, etj. Kryetari i Konferencës së Rektorëve zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme për një periudhë njëvjeçare. Statutit të Konferencës së Rektorëve mund t i bëhen ndryshime, shtesa, shfuqizime, vetëm me propozim të Asamblesë së Përgjithshme dhe miratim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›