E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Elbasanit, 400 kuota më shumë për studentët e rinj

Autori i Lajmit: red.
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kuotat për 20 degë me 2900 studentë. Krahasuar me një vit më parë sivjet priten 400 vende më shumë për studentët e rinj. Ky propozim vlen për sistemin e ditës, sistemin me kohë të pjesshme dhe kuotat për shqiptarët jashtë kufijve, për vitin e ri akademik 2008 - 2009. Konkretisht, janë propozuar 2050 studentë për sistemin e ditës, 90 për shqiptarët jashtë kufijve, si dhe 760 për sistemin me kohë të pjesshme. Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, tha se këto kuota janë parë si të arsyeshme nisur edhe nga kapacitetet e ambienteve dhe kërkesat për çdo degë. Krahasuar me një vit më parë, vetëm në sistemin e ditës kuota është rritur nga 1665 studentë për vitin akademik 2007 – 2008, në 2050 studentë në vitin akademik 2008 - 2009. Këtë vit janë rritur kuotat në degët Gjuhë – Letërsi, Frëngjisht, Matematikë – Fizikë, Psikologji, si dhe Cikli i Ulët, ndërsa është e njëjtë me vitin e kaluar kuota për shqiptarët jashtë kufijve, si dhe për sistemin me kohë të pjesshme. “I kemi propozuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës këto kuota duke marrë parasysh faktin se Universiteti “Aleksandër Xhuvani" plotëson të gjitha kushtet për të pritur në vitin akademik 2008 – 2009 këtë numër studentësh. Korpusi qëndror i Universitetit ka pësuar mjaft ndryshime, duke u shtuar edhe dy godina të reja, njëra në ambientet e korpusit qëndror dhe tjetra pranë Fakultetit Ekonomik", tha ai. Po ashtu, është bërë rikonstruksioni total i godinës ekzistuese. Veç kujdesit per ambientet, ka edhe një rritje të numrit të stafit të pedagogëve dhe po punohet në drejtim të kualifikimit të tyre.
Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›