Pollo, pas sulmeve të Panoramës ndaj Olldashit
Qartësohet prapaskena e sulmeve të gazetës Panorama ndaj Ministrit Olldashi, lidhur me kontratën antiligjore të tij me një nga kompanitë në pronësi të Bashkim Ulaj për shtrimin e kabllit optik në gjithë Shqipërinë. Bëhet fjalë për një kontratë monopol të lidhur mes Ministrisë së Transportit dhe kompanisë ATU, e cila është pjesë e bizneseve të familjes Ulaj, njerëzit më të afërt të Berishës në biznes. Kontrata i ka dhënë fuqi Ulajt të shkatërrojë akset kryesore rrugore të Shqipërisë dhe të çajë mespërmes dhe autostradën e quajtur Rruga e Kombit, e cila është masakruar ende pa filluar punë. Kjo kompani po çan gjithë rrugët kryesore të vendit duke shkelur ligjet aktuale në fuqi. Sipas një rregulloreje të Drejtorisë së Rrugëve, kjo kompani duhet të depozitojë një masë sigurei prej dhjetë për qind të vlerës së rrugëve para se të shkatërrojë ato. Përfytyroni që kjo vlerë për Rrugën e Kombit shkon 100 milionë euro.
Kontrata është vërtet skandaloze dhe antiligjore, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte botimi i saj nga gazeta Panorama, një e përditshme proqeveritare e lidhur ngushtë me Bashën, Metën dhe pjestarë të tjerë të qeverisë. Burime nga gazeta Panorama saktësojnë se pas sulmeve nuk qëndron Lulëzim Basha siç mendohej, por Genc Pollo, Ministër i Teknologjisë. Pollo është në konflikt me projektin Ulaj- Olldashi, pasi ai është duke prokuruar të njëjtin projekt për llogari të qeverisë shqiptare. Duke qenë se pas zhvillimeve të fundit në PD, ai ndjehet i mënjanuar, ai nuk ka ngurruar të sulmojë në fakt një nga njerëzit më të afërt të Familjes Berisha në biznes, Bashkim Ulaj.
Pollo dhe Ulaj kanë një armiqësi të vjetër. Në vitin 1999 kur Pollo ishte kundër Berishës e akuzoi atë se ka përfituar miliona dollarë nga skemat piramidale dhe i ka investuar ato në New Jersey të SHBA tek disa biznesmenë të afërt me gruan e tij. Familja Ulaj është e vendosur në New Jersey dhe kanë aty disa investime, të cilat tashmë në raport me investimet në Shqipëri janë minore.
Familja Ulaj është shumë e lidhur me Familjen Berisha. Ata vijnë nga i njëjti fshat në origjinë me Liri Berishën dhe kanë një lidhje të fortë dhe të konsoliduar familjare. E gjithë familja Berisha dhe fëmijët e tyre jetojnë në pallatin e Bashkim Ulaj. Brenda katër vjetësh nën pushtetin e Berishës Ulaj ka përfituar shumë biznese me ndihmën e shtetit, sic janë dy licenca për fabrika çimentoje, koncesione në minera, tendera për furnizimin e ndërmarjeve publike dhe janë bërë papritur kompani lider në ndërtimin e rrugëve përmes privilegjeve të siguruara nga Olldashi. Avokat i Ulaj është Argita Malltezi Berisha. Kjo ka nxitur shumë zili brenda qeverisë, por dhe në bizneset e tjera që po shaktërrohen nga konkurenca e pandershme e tyre.
Pollo është i pari zyrtar i qeverisë që guxon të ngrihet kundër tyre dhe kjo vlen për tu përshëndetur. Ngelet të shikojmë si do reagojë Berisha, por shanset më të mëdha janë që ai të distancohet më shumë nga gazeta Panorama se sa nga Pollo.