Misteret e një karvani ushtarak që la Libinë
Liderët e rebelëve në Libi, por edhe oficerët e inteligjencës së NATO-s kanë nisur një hetim në lidhje me një karvan të madh ushtarak, që është larguar nga Libia në drejtim të Nigerit. Më shumë se 250 mjete ushtarake me ushtarë dhe luftëtarë fisesh, kaluan pa problem në kufi në drejtim të Nigerit. Aty ata u shoqëruan nga ushtria, që i përcolli drejt Burkina Fasos. Mendohet se ky shtet i ka ofruar azil Muamer Gadafit.
Intrigat e misteri janë shtuar më shumë pasi ka pasur pretendime se Franca ka arritur një marrëveshje për të garantuar udhëtimin e sigurt të këtij karvani në shkretëtirë.
Zyrtarët e doganave thonë se Gadafi ka hyrë në Niger përpara se aty të mbërrinte karvani.
Rebelët thonë se 10 makina nga ato të karvanit kishin ar, euro dhe dollarë.
Ndërkohë një zëdhënës i Gadafit ka vijuar të pretendojë se ai nuk do largohet nga vendi deri në fitore.
