E Diel, 1 Nëntor 2026

Baraj jep dorëheqjen si kryetar i PS-së në Tiranë, Sajmir Tahiri në vend të tij

Zgjedhjet brenda Partisë Socialiste kanë nisur me një dorëheqje të kreut të degës së Tiranës Besnik Baraj. Ashtu siç pritej dhe flitej në korridoret e selisë rozë zgjedhjet brenda partisë do të sjellin ndryshime të mëdha, sidomos në ato qytete ku rezultatet kanë lënë për të dëshiruar. I tillë ka qenë dhe rezultati i Tiranës, pavarësisht kontestimeve për mënyrën se si u mor mandati i kryebashkiakut me KQZ dhe Kolegj Zgjedhor. Rezultati në përgjithësi i qytetit të zotëruar prej së majtës më shumë se 10 vjet ishte shumë më ulët nga pritshmëritë më të këqija të PS-së dhe për këtë rezultat do të ketë dhe përgjegjës. Bare ka vendosur që të vetëlargohet duke i hapur rrugën këtyre ndryshimeve që pritet të prekin këtë degë të partisë, një nga degët më të rëndësishme organizuese të partisë më të madhe në opozitë. Në vend të tij është komanduar deputeti Saimir Tahiri, i cili pritet që të kandidojë më tej në zgjedhjet e vjeshtës për ta mbajtur këtë detyrë që i është dhënë përkohësisht. Sipas burimeve në selinë rozë nuk pritet të ketë ndryshime të thella në të gjitha degët por vetëm në ato degë ku rezultati i 8 majit ka qenë në disfatë dhe ku analiza e partisë bërë nëpërmjet organizatave ka parë të domosdoshme ndryshimet e krerëve të degëe. Në Tiranë duket se duhet një grup i ri drejtues për të nisur punën e përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PS fitoi vetëm 4 minibashki në Tiranë në zgjedhjet vendore, përkundrejt 7 minibashkive që fitoi PD, ndërsa Rama ishte 10 vota para Bashës në finalizimin e numërimit të parë. Kreu i PS-së, Edi Rama tha direkt pas këtij rezultati se ky ishte një rezultat që kërkonte reflektim pavarësisht vjedhjes që mazhoranca i ka bërë këtyre zgjedhjeve. Reflektimi ka nisur të shfaqë shenjat e para me dorëheqjen e Bares, i cili ka ardhur në krye të kësaj dege gjatë ndryshimeve që Rama bëri në parti fill pas zgjedhjes së tij si kryetar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›