E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo vë kushte për rikthimin në PD, kërkon postin e nënkryetarit



Eljona Ballhysa
Ish-kryetari i Partisë Demokrate të re, Genc Pollo, po bën përpjekje që të rikthehet në PD, në postin që ka mbajtur dikur, atë të nënkryetarit të selisë blu. Burime informacioni bëjnë të ditur për gazetën se shkrirja e PDR-së me PD-në nuk ka qenë aspak e lehtë në disa degë të vendit, por edhe në Kryesinë qendrore. Sipas burimeve nga PD-ja, ish-kryetari i Partisë Demokrate të re ka kohë që bën presion për të rimarrë postin e nënkryetarit të PD-së, ndërkohë që marrëdhëniet e tij me nënkryetarin aktual të PD-së, Astrit Patozi, nuk janë aspak të mira.
Postet
Ish-nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, ka bërë të ditur se shkrirja e PDR-së me PD-në është në proces përfundimtar në shumicën e degëve në të gjithë vendin. Sipas tij, shkrirja e dy partive me poste në forumet e larta drejtuese, veçanërisht në Kryesinë qendrore, do të realizohet pas Kuvendit Kombëtar të PD-së, që pritet të mblidhet në fund të muajit prill. Në marrëveshjen midis dy partive mësohet se është rënë dakord që anëtarët e PDR-së të jenë të përfaqësuar në forumet e PD-së në të njëjtën mënyrë siç kanë qenë në PDR. Por kjo duket e vështirë dhe në disa raste e paarritshme, pasi në strukturat e larta drejtuese të PD-së pritet që përfaqësimi i PDR-së të jetë i kufizuar. Edhe përpjekja e Pollos për të marrë një post nënkryetari në PD nuk është pritur mirë nga deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së, të cilët kanë vite që kontribuojnë për këtë parti. Posti i nënkryetarit është ndër më të lartët dhe për të arritur aty, sipas tyre, duhet shumë punë dhe përpjekje. Por burimet kanë bërë të ditur se për shkak të presionit të vazhdueshëm nga ana e Pollos për të marrë këtë post, në PD është diskutuar që të shtohet një nënkryetar i tretë, ose posti i sekretarit Politik. Megjithatë, këto ndryshime në kupolën e PD-së pritet të diskutohen më tej edhe gjatë Kuvendit Kombëtar ose në Kryesi dhe në Këshillin Kombëtar të kësaj partie.
Largimi
Genc Pollo dhe Tritan Shehu u larguan nga Partia Demokratike në vitin 1999. Atë vit Pollo hodhi kandidaturën për postin e kryetarit të PD-së në Kuvendin e kësaj partie. Por një ditë para zgjedhjeve Pollo tërhoqi kandidaturën duke u shprehur se nuk kishte gjetur kushte për një garë të ndershme midis tij dhe Berishës. Bashkë me Pollon nga PD-ja u larguan dhe figura të tjera si Tritan Shehu, Nard Ndoka, Leonard Demi e Ferdinand Xhaferaj. Në vjeshtë të vitit 1999 Pollo krijoi një lëvizje brenda Partisë Demokratike, e cila u quajt lëvizja reformatore, e cila rezultoi e dështuar. Në zgjedhjet e vitit 2001 Pollo krijoi Partinë Demokrate të re, e cila arriti të merrte 5.2% të votave dhe u përfaqësua në Kuvend me 6 deputetë. Gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet e tij me Berishën kanë qenë tejet të acaruara. Kreu i PD-së e akuzoi Pollon për përdorim të siglës së PD-së në zgjedhje. Por në zgjedhjet e vitit 2005 “gjakrat” midis PD-së dhe PDR-së u ftohën, aq sa Berisha e Pollo nënshkruan një marrëveshje paraelektorale bashkëpunimi. Pas zgjedhjeve Berisha e emëroi Pollon një postin e ministrit të Arsimit. Por gjatë tre viteve të qeverisjes, nga PDR-ja u larguan një numër i madh deputetësh, si Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Ferdinand Xhaferaj etj. Kjo parti mbeti vetëm me dy deputetë në Kuvend dhe një pjesë e anëtarësisë së saj u bashkua me Nard Ndokën, i cili mori drejtimin e Partisë Demokristiane. Emërimi i Pollos në postin e zëvendëskryeministrit ishte shenja e parë e bashkimit të dy partive.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›