E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solis, i pari në listën e Tiranës për PBDNJ-në



Pas diskutimeve në strukturat e PBDNJ-së, Leonard Solis është zgjedhur kandidat për Tiranën, me premtimin se shqetësimet sociale të qytetarëve të thjeshtë do të jenë në vëmendjen e tij. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut përmbylli fazën përgatitore për qarkun e Tiranës dhe ju prezanton kandidaturën e zotit Leonard Solis, i cili do të kryesojë listën e kandidatëve të PBDNJ-së në qarkun e Tiranës”, - tha kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. “Jam tepër optimist dhe do të zbatoj pikë për pikë ato që unë do të premtoj. Koha ka treguar se do të bëj më shumë sesa them, do të jem një deputet tepër korrekt, tepër i këndshëm, sidomos për problemet sociale, për të cilat kam dhe një eksperiencë të gjatë”, - tha Solis. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të synojë që në premtimet e saj të përqendrohet pikërisht në shqetësimet ekonomike të qytetarëve. Në Kongresin e saj më 9 maj, PBDNJ-ja do të vendosë edhe nëse do t’i bashkohet një koalicioni para zgjedhjeve, apo do të kandidojë si një subjekt i vetëm. “Do të synojnë shmangien e PBDNJ-së nga rituali i dialogut shterp, pa përmbajtje, pa alternativa, që sërish rikthehet në vendin tonë përpara ballafaqimit elektoral, politik të radhës”, - tha Dule.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›