Poloni, sot homazhet për Presidentin Kaczynski
Nisin sot homazhet dhe nderimet për presidentin e Polonisë Lech Kaczynski i cili humbi jetën në një aksident ajror që ndodhi të shtunën e javës që lamë pas. Arkivoli me trupin e tij do të jetë i vendosur në ambientet e pallatit presidencial nga ku do të kryhen edhe ceremonitë përkatëse për të nderuar figurën e kreut të shtetit. Trupi i tij u riatdhesua në Varshavë dy ditë më parë nga Rusia, ndërsa varrimi do të kryhet të shtunën, pas sjelljes në vend, edhe të trupave të pajetë të të gjithë personave, që humbën jetën në fatkeqësinë qe preku avionin presidencial në Smolensk të Rusisë.
Fillmisht arkivoli i presidentit u vendos në kishën e pallatit presidencial në Varshavë dhe deri pak orë më parë , atë mundën ta shikonin vetëm anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë, ndërsa prej ditës së sotme, do të mund ta shohin e ta nderojnë edhe shumë persona të tejrë. Familja e tij ka shprehur dëshirën që presidenti të varroset së bashku me bashkëshorten Marien, por trupi i saj ende nuk është identifikuar. Deri tani janë identifikuar vetëm 14 nga 96 viktimat e kësaj fatkeqësie të rëndë. Për të ndihmuar identifikimin e viktimave, në Moskë ka shkuar dhe grupi i parë i familjarëve të personave të vdekur. Që pas lajmit të vdekjes së presidentit polak, dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar në Poloni për të kujtuar figurën e kreut të shtetit, ndërsa i gjithë vendi është në zi kombëtare për 7 ditë. Mijëra të tjerë vijojnë të ndezin qirinj pranë pallatit presidencial në Varshavë.