Polonia, start me fitore në kualifikuese

Polonia i ka nisur me fitore kualifikueset e Kampionatit Europian të moshës deri në 19 vjeç për vajza, që janë duke u zhvilluar në sallën olimpike “Feti Borova” në Tiranë. Në një hark kohor prej një orë e 20 minutash, Polonia ka fituar 3-0 ndaj Austrisë duke hedhur kandidaturën për vendin e parë dhe për shkuarjen në fazën e mëtejshme të këtij kampionati. Diferencat janë të dukshme që në setin e parë, të cilin Polonia e ka fituar 25-11. Në të dytin Austria ka kryesuar deri në pikën e 20-të e më pas ka marrë Polonia frenat e lojës në dorë, ndërsa ka fituar 25-21. I treti është vetëm me një kaq, 25-17 për Poloninë dhe krejt ndeshja 3-0. Në përfundim të takimit kanë ardhur trajnerët Roland Shvab i Austrisë dhe Vieslav Popik i Polonisë.
Roland Shvab: “E vërteta është se e kemi nisur keq këtë ndeshje, me shumë probleme, gjëra që kanë qenë të dukshme në fushën e lojës. Kemi patur probleme sidomos me topin e parë. Kjo na e vështirësoi lojën, pavarësisht se më pas erdhëm duke e përmirësuar atë. Misioni ynë është të kapim vendin e dytë, ndërsa Polonia është skuadër me shumë potencial”.
Vieslav Popik: “Kjo ndeshje nuk ishte e lehtë për ne. Patëm probleme, kjo dhe për shkak të nënvlerësimit. E rëndësishme është fitorja. Ne shpresojmë që gjërat të ecin mirë për ne edhe në ndeshjen me Shqipërinë. Ne jemi këtu për të bërë detyrën dhe për ta çuar Poloninë në fazën tjetër të këtij Europiani”.
Sakaq me mosparaqitjen e Ukrainës për shkak të luftës me Rusinë, Austria, Polonia dhe Shqipëria i kanë fituar ndeshjet e tyre 3-0 në “tavolinë”. E të shtunën në ora 18:00, në sallën olimpike “Feti Borova”, Shqipëria do të përballet me Poloninë. I gjithë aktiviteti është duke ardhur në transmetin të drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.